E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit në kaos, të gjithë kundër Pelegrinit

Në fund të ndeshjes, ata që festuan ishin lojtarët modestë të Alkorkonit. Humbja 1-0 në takimin e dytë me Realin e Madridit, i dha të drejtën të kualifikoheshin më tej në Kupën e Mbretit, pas fitores 4-0 të regjistruar në takimin e parë. Ekipi i Kategorisë së Tretë spanjolle u mblodh në restorantin "Casa Juan", për të festuar rezultatin historik përballë "Galaktikëve". Në kampin tjetër, atë madrilen, ka filluar gjyqi, ku në bankën e të akuzuarve ndodhet Manuel Pelegrini. Me gjithë yjet që ka në dispozicion, trajneri nga Kili nuk ka arritur ta ngrejë Realin në nivelet e pretenduara. "Qesharakët e historisë", ishte titulli i madh i përdorur nga gazeta e kryeqytetit iberik, "Marca". Që ndeshja e së martës ishte një zhgënjim i paprecedentë, kjo nuk ka dyshim. Qëndrim të njëjtë ka mbajtur edhe gazeta tjetër madrilene, "AS", e cila prej javësh sulmon Pelegrinin për rezultatet zhgënjyese të skuadrës në këtë fillim sezoni. Ndërkohë, nga Barcelona kujtonin se eliminimi nga një skuadër e nivelit të ulët, ka "fshirë" të gjitha ëndrrat për të fituar tre trofe brenda këtij sezoni, për të imituar arritjen e një sezoni më parë të Barçës së Guardiolës. "Fërshëllima, impotencë, dështim!", ishte titulli i "Sport", e cila i kishte dedikuar pesë faqet e para të gazetës (një ngjarje e pazakontë), rënies së "Galaktikëve". Edhe "El Periodico", e përditshmja politike katalane e paraqiste Realin në faqen e parë: "Një skuadër e Kategorisë së Tretë shkatërron ëndrrën për ‘tripletë‘ të Madridit".

Me gjithë kritikat, drejtuesit e klubit dolën në mbrojtje të Pelegrinit. "Nuk mund të shënosh, nëse nuk luan", ishin fjalët e Horge Valdanos, i cili shtoi se thirrjet e tifozëve për largimin e trajnerit "zgjatën vetëm 15 sekonda". Ndërkohë, presidenti Florentino Perez rikonfirmoi teknikun në krye të stolit, duke theksuar se ai do të qëndrojë gjatë gjithë sezonit. Më pas ka ardhur edhe deklarata e çuditshme e njëshit të Realit, i cili shpenzoi miliona euro gjatë merkatos së verës, për afrimin e lojtarëve si Kristiano Ronaldo, Kaka, Ksabi Alonso e Benzema: "Nuk do të jetë dështim, nëse e mbyllim sezonin pa asnjë trofe". Pas zhgënjimit, kapiteni "merengue", Raul, tha: "Krijuam një imazh të keq të ekipit, por kemi besim të plotë te trajneri dhe ky nuk është momenti për t‘u dorëzuar. Në futboll mund të ndodhin gjëra që nuk arrin t‘i shpjegosh, si na ndodhi në takimin e parë ku humbëm 4-0. Nuk arritëm të përmbysnim rezultatin, por do të vazhdojmë të luftojmë, pasi kemi një skuadër të mirë, e cila ka krenarinë dhe kualitetin për të vazhduar përpara. Pelegrini po punon mirë, edhe pse përshtatja me metodat e tij po kërkon më shumë kohë nga sa ishte parashikuar". Rezultatet e dobëta lidhen edhe me faktin që Pelegrini nuk po arrin të menaxhojë si duhet situatën në dhomat e zhveshjes. Pas Gutit, i cili do të takohet me Valdanon për të vendosur rreth së ardhmes, në "Bernabeu" ka plasur edhe çështja "Serxho Ramos". Mbrojtësi nuk ishte përfshirë në ekip për arsye ende të panjohura, ndërsa teoria që qarkullon edhe se 23-vjeçari nuk luajti për të evituar ndëshkime, duke qenë se lojtari nuk ishte i skualifikuar, vetëm sepse Disiplinori në Spanjë shtyu mbledhjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›