Mile: E dija që do të shënoja

Sulmuesi beratas Vangjel Mile i kaluar në formën e huazimit në merkaton e janarit nga Dinamo tek Teuta ka shënuar që në debutimin e tij me skuadrën e re. Goli i tij i hapi fitoren 2-0 durrsakëve në sfidën ndaj Besëlidhjes, e cila ishte rivalja direkte për mbijetesën në Superligë. Tashmë bregdetarët e shikojnë veten në pozita më të sigurta dhe më shpresëdhënëse për të ardhmen. "Jam shumë i kënaqur për golin. E parandjeja që do të shënoja dhe një gjë të tillë e kam shprehur në ambientet me miqtë dhe shokët e mi disa ditë përpara ndeshjes. Hapsirat që nuk më jepeshin tek Dinamo m'u dhanë këtu tek Teuta dhe unë e tregova se cili jam në të vërtetë. Gjithsesi e rëndësishme është që edhe skuadra ime e re do të vazhdojë rrugën e sukseseve dhe të shpëtojë sa më parë rënien nga Superliga", - tha Mile per Gazeten "Sporti".