E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulejman Mema, “morri i kuq” kthehet te Tirana

Sulejman Mema është trajneri i tretë zyrtar i Tiranës. "Pokeri" i donatorëve bardheblu: Refik Halili, Shefikat Ngjela, Agron Papuli dhe Avni Nuri, vendosën shkarkimin e teknikut Astrit Hafizi. Shkodrani, i cili i morri në dorëzim kampionët në fuqi në javën e 5-të, u shkarkua pas barazimit me Elbasanin (2-2) në javën e 18-të. Një ndikim të madh në largimin e Hafizit pati dhe humbja me Vllazninë (4-1) para pauzës dimërore.
Tirana ndodhet në vendin e katërt, por me një diferencë të qartë pikësh me Dinamon kryesuese (11 pikë më pak se blutë) dhe Partizanin e vendit të dytë (5).
Mema, dy herë kampion si me Tiranën si lojtar (në sezonet 1981-1982, 1984-1985) dhe si trajner (në sezonet dhe 1995-1996 dhe 1998-1999), ka drejtuar më parë dhe Partizanin, duke fituar një Kupë të Shqipërisë dhe një Superkupë po me Partizanin. Për herë të fundit Sulejman Mema i drejtoi 23-herë kampionët në sezonin 2003-2004 (atëherë më 20 tituj kampionë), ku u detyrua të jepte dorëheqjen pas disa rezultateve negative (katër ndeshje pa fituar) duke u zëvendësuar nga Mirel Josa, që në përfundim e nxorri kampion Tiranën.
Pak ditë më parë, Sulejman Mema dha dorëheqjen nga detyra e shefit të gjyqtarëve në Federatën Shqiptare të Futbollit. Sulejman Mema ka drejtuar më parë edhe përfaqësuesen shqiptare U-21.
Duhet përmendur një fakt, se kur Mema drejtonte Partizanin (dy herë gjatë disa javëve të sezoneve 2004-2005 dhe 2005-2006), ultrasit bardheblu nuk e kursyen nga fyerjet e përhershme trajnerin, madje duke prodhuar edhe një banderolë mitike: "Mema, morri i kuq".
I njohur për Sulejman Memën është edhe incidenti në Burrel ku një punonjës i klubit matjan rrezikoi seriozisht jetën e shefit të gjyqtarëve duke ushtruar dhunë të tejskajshme.

Trajnerët e Tiranës gjatë sezonit 2007-2008
1.Sulejman Starova: Java 1-3
2.Ardian Mema: Java 4
3.Astrit Hafizi: Java 5-18
4.Sulejman Mema: Nga java 19

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›