E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miliardat dhe futbolli. Klubet me te pasur

Ke ëndërr të blesh Realin e Madridit, i ke mundësitë financiare për ta bërë tënden "Shtëpinë e bardhë" të futbollit, të duhet të kesh jo një, por qindra valixhe gati me euro. Afërsisht duhen 1.1 miliardë euro. Kjo është vlera që i ka dhënë 30 herë kampioneve të Spanjës, kompania BBDO, një filial i Omnicom Inc, kompanisë më të madhe të reklamave në botë, që në studimin e saj ka bërë renditjen dhe vlerësimin e 25 klubeve më të pasura në Europë. Pas Realit të Madridit, në vend të dytë vjen një tjetër skuadër spanjolle, Barcelona, me 948 milionë euro. Në podium është i treti Mancester Junaitid, kampioni i Anglisë me 922 milionë euro. Në listën e 25 klubeve bëjnë pjesë gjashtë skuadra spanjolle (Reali i Madridit, Barcelona, Benfika, Valencia, Sevilja dhe Vilareali), katër angleze (Mancester Junaitid, Celsi, Arsenali dhe Liverpuli), katër italiane (Milan, Inter, Juventus dhe Roma), katër gjermane (Bajern, Shalke, Shtutgart dhe Verder Bremen), por nuk mungojnë edhe ekipe holandeze, portugeze, skoceze dhe franceze. Nëntë herë kampionët e Europës, Reali i Madridit, ka ndërtuar perandorinë e tij përmes sponsorizimeve dhe tureve në të gjithë botën. Klubi madrilen ka zhvilluar fushata përgatitore dhe ndeshje miqësore në Azi, Amerikën e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe ka nënshkruar një kontratë sponsorizimi për fanellën me kompaninë e basteve BWIN në vlerën e më shumë se 60 milionë eurove. Reali i Madridit është gjithashtu klubi më i pasur përsa i përket të ardhurave, me një shitje prej 351 milionë eurosh. Skuadra lejoi Devid Bekamin të largohej drejt Los Anxhelos Galaksi në kampionatin amerikan dhe bleu mesfushorët holandezë Arjen Roben dhe Uesli Shnajder. "Roster"- i i tij përfshin Fabio Kanavaron, "Lojtarin më të mirë FIFA", sulmuesin holandez Rud Van Nistelroi, sulmuesin spanjoll Raul dhe fantazistin brazilian Robinjo. Reali ka fituar tri ndeshjet e para dhe barazoi ndeshjen e katërt dhe qëndron në krye të klasifikimit. Po mbarë e nisën edhe Ligën e Kampioneve me fitoren 2-1 kundër gjermanëve të Verder Bremen. BBDO në analizën e saj, kur përcakton edhe vlerat financiare e saj, bazohet në popullaritetin e klubit, gjithashtu edhe në burimet e të ardhurave dhe vlerës në treg të klubit.

25 klubet më të pasura

1. Real Madrid (Spanjë) 1,063
2. Barcelona (Spanjë) 948
3. Mancester Junaitid (Angli) 922
4. Celsi (Angli) 828
5. Milan (Itali) 824
6. Bajern Munih (Gjermani) 727
7. Inter (Itali) 715
8. Arsenal (Angli) 712
9. Juventus (Itali) 709
10. Liverpul (Angli) 645
11. Lion (Francë) 453
12. Roma (Itali) 441
13. Schalke 04 (Gjermani) 436
14. Ajaks (Holandë) 368
15. Rejnxhës (Skoci) 332
16. Valencia (Spanjë) 319
17. Benfika (Portugali) 318
18. Sëlltik (Skoci) 315
19. Shtutgart (Gjermani) 288
20. Verder Bremen (Gjermani) 275
21. Porto (Portugali) 255
22. PSV Eindhoven (Holandë) 242
23. Sevilja (Spanjë) 235
24. Villarreal (Spanjë) 234
25. Lilë (Francë) 206
Arsenali kalon Mancesterin dhe Celsin
Arsenali, me një xhiro vjetore prej 288,3 milionë euro në sezonin 2006-2007, është klubi i dytë më i pasur në botë. "Topcinjtë" vijnë menjëherë pas Realit të Madridit (290 milionë) dhe kanë lënë pas dy klubet e tjera angleze, Mancester Junaitid (241 milionë euro) dhe Celsin (219,4 milionë euro). Aktivi në rritje (+46%) i Arsenalit vjen nga stadiumi i ri, "Emirates Stadium", që me 60 mijë vendet e tij arrin të arkëtojë dyfishin e "Hajbërit" të vjetër në një sezon të vetëm.
750 milionë euro
Zhan-Mishel Olas, presidenti i Olimpikut të Lionit, kampionit në fuqi të Francës, tha se të drejtat televizive të Ligës franceze duhet të kapin shumën e 750 milionë eurove në sezon, kur ato të tenderohen në muajin nëntor. Në vitin 2004, operator francez me pagesë Canal Plus pagoi 600 milionë euro për të drejtat e sezoneve 2005-2006 deri në 2007-2008. Olas, i cili është gjithashtu presidenti i "G14", grupimit të 14 klubeve më të fuqishme europiane, tha se edhe operatorë nga vende të tjera mund të bëjnë ofertat e tyre.
5.3 miliardë euro
Miliarderi francez, investitori Fransua Pino, i ka bërë një ofertë prej 5.3 miliardë dollarësh prodhuesit të njohur të produkteve sportive "Puma". Analistët paralajmërojnë se oferta është mirëpritur nga bordi drejtues i "Puma"-s si e ndershme dhe se ata janë gati t'i shesin atij 27.1 për qind të kompanisë. PPR, kompania e Pinos, ka ofruar 330 euro për një aksion. Edhe rivali i "Puma"-s, prodhuesi më i madh në botë, amerikania "Nike", i bëri një ofertë prodhuesit gjerman, por ajo u refuzua nga "Puma" dhe bisedimet nuk u realizuan.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›