Rrokadë Mançini-Mourinjo?

Interi vazhdon të zhgënjejë. Pas humbjes në Ligën e Kampioneve me Fenerbahcen, erdhi edhe barazimi në kampionat me Livornon. Në Toskana, në raport me atë që u pa në Turqi, sulmi punoi më shumë, por me probleme u paraqit mbrojtja. Zikaltërit janë në krizë loje dhe Mancini është gjithmonë e më shumë në diskutim për bankinën e tij, edhe pse Morati ende nuk e ka vendosur nën proces, ndërkohë që hija e Mourinjos bëhet gjithmonë dhe më e dukshme.
Kampionët e Italisë nuk janë më skuadra e rekordeve të sezonit të kaluar dhe kështu, pas vetëm katër javëve, tashmë ka filluar procesi i analizës. Mjafton të bësh një llogari të gjashtë ndeshjeve zyrtare dhe, duke i shtuar edhe ndeshjet në Superkupën e Italisë dhe atë të Ligës së Kampioneve, ka fituar vetëm dy. Shumë pak për një formacion që pak muaj më parë konsiderohej si më i miri në botë. Ibrahimovic dhe Adriano nuk e meritonin atë përfundim kundër Livornos, ndërsa problemet e mëdha në mbrojtje, sic e dëshmon edhe nervozizmi i Burdisos dhe përjashtimi i Maikonit. Është shumë i domosdoshëm rikthimi i Materacit. Këtyre u duhen shtuar edhe vështirësitë në mesfushë në krijimin e lojës, me një Vieira akoma të dëmtuar dhe me ndeshjen kundër Romës, e cila do të luhet ditën e shtunë, pas asaj të ditës së mërkurë me Sampdorian. Interi nuk bind, ja përse Mancini rrezikon bankinën e tij në ditët e ardhshme. Morati pas barazimit me Livornon nuk u shfaq shumë i shqetësuar, madje kujtoi se duhet të kishin durim, pasi asgjë nuk është humbur deri tani, por është e qartë se drejtuesit e rrugës "Durini" janë duke hedhur një sy rreth e rrotull. Në merkaton e trajnerëve i lirë është Hoze Mourinjo dhe tekniku portugez është shumë i vlerësuar nga shoqëria zikaltër dhe ndoshta do të ishte i gatshëm të niste menjëherë një aventurë në kampionatin italian. Mancini është i paralajmëruar, me Sampdorian nuk mund të gabojë.
Para gjykatës, Interi e Milani
Interi dhe Milani, dy nga klubet më të mëdha të Italisë, vazhdojnë të jenë nën hetim nga prokuroria italiane në lidhje me bilancet false në vitet 2003-2005. Nga Interi nën hetim është zëvendëspresidenti Rinaldo Gelfi dhe ish-drejtuesi i klubit, Mauro Gambaro, ndërsa nga Milani, për fryerje të shifrave të llogarisë është zëvendëspresidenti Adriano Galiani. Prokuroria ka përjashtuar Masimo Moratin nga lista e hetimeve. Tashmë pritet të përcaktohet edhe seanca e parë gjyqësore.