E Diel, 1 Nëntor 2026

“Miliarderen e pritëm si Helenën e Trojës, por na shkatërroi djalin”

• Kur dëgjojnë të përmenden emrat e Franit, djalit të fshatit të tyre, të cilin e njohin mirë dhe Rulës, miliarderes greke, banorët e Nënshatit, një nocion gjeografik për midis ....Nga i dërguari ynë në zonë, Ferdinand DervishiShkodrës dhe Lezhës, sidomos femrat, lëshojnë një frazë apo pasthirrmë. Është një gjest që u del në mënyrë të pakontrolluar dhe që shoqërohet me një buzagaz fragmentar të palexueshëm, ashtu siç ndodh me çdokënd që duhet të japë një opinion për një ngjarje që, ose e njeh shumë mirë, ose e ka lodhur. E kanë pritur si të ishte një divë kinemaje “nusen e djalit”, pa e pyetur shumë për moshën, pa u interesuar shumë për biografinë greke dhe paratë që thoshin se i kishte me lopata, madje duke besuar me dashamirësi një thashethem, sipas të cilit ajo nuk i kishte kaluar të dyzetat. Por me kalimin e kohës duket janë ndier keq dhe kjo ka ardhur jo vetëm nga historia e ndarjes, por edhe nga komentet që grekja e famshme në atdheun e vet, ka bërë në adresë të familjes së Franit dhe më tej. Kjo është risia e këtyre ditëve, vendosur si kurorë dhimbjeje, më saktë bezdie, përmbi fshatin zadrimor, madje duket e kaptuar edhe përmbi hijen qindravjeçare të tre objekteve fetare që kanë lidhje me katolicizmin, të ngulura në shpatin e malit, përmbi shtëpitë që fshikullohen nga një erë brisk e ftohtë.“Unë e takova Rulën”“Të ftohtin e bën era këtu. Po të mos frynte, s’është vend i keq”, na thotë kur na sheh të kruspullosur Mark Preçi, njeriu i parë që takuam në Nënshat. Është 54 vjeç dhe nga të paktët që nuk bën të habiturin për historinë e Franit me greken Rula. “Kam dëgjuar për ta, por unë vetëm njëherë i kam takuar. Ja, kështu në rrugë, si edhe juve. Ishin me një makinë të zezë dhe ndaluan të më përshëndesnin. Duhet të ketë qenë fillimi i këtij viti. Makinën e ngiste grekja. Unë e njihja mirë Franin dhe familjen e tij, pasi ishim fqinjë”, rrëfen Marku. Më tej 54-vjeçarit i ka bërë përshtypje që Frani i ka thënë, se femra që ngiste makinën ishte nusja e tij. Marku kishte shqiptuar automatikisht: Të trashëgoheni! Mëson se janë duke shkuar në një dasmë në fisin e tyre në fshatin fqinj, Dajç – Zadrimë dhe i përgjigjet grekes po në greqisht, kur ajo kërkon një opinion për Franin. “Më thotë, Frani kalo pedhi” (Frani është djalë i mirë) dhe unë i përgjigjem “poli kalo” (shumë i mirë)”, vazhdon rrëfimin Mark Preçi, duke u hedhur në historinë e vet të shkuarjes dikur si emigrant klandestin në Greqinë fqinje. Ndërkohë i jemi afruar shtëpisë së vjetër dhe vilës së re të papërfunduar të Fran Shtjefnit, ose dy objekteve që pranë njëri-tjetrit reflektonin atë pabarazinë ekstreme mes primitivitetit dhe modernes. “Mark, nuk të bëri përshtypje që grekja, nusja e Franit, ishte e madhe në moshë”, ishte pyetja që kërkonte një reagim paksa të kushtëzuar.“Më bëri përshtypje, dukej në fytyrë, por ishte edhe shumë e mbajtur”, shqiptoi bashkëbiseduesi të vërtetën e tij. Fati i një familjejeNjë tufë prej më shumë se 100 gjelash deti, që zadrimorët i quajnë “bibaj” (shumësi mashkullor) dhe ‘biba” (shumësi femëror), një nga mënyrat e mbijetesës së zonës, krahas emigracionit pothuaj total të meshkujve të aftë për punë, na bllokojnë rrugën e makinës fare pranë vilës së re të Franit. Gjithsesi, më interesante ishte shtëpia e vjetër ku shqiptari mbase më i famshëm në Greqinë fqinje kishte lindur dhe kishte kaluar rreth 14-15 vite të jetës. Familja e përbërë nga i ati, Tom Simon Shtjefni, nëna Gonxhja, dhe katër fëmijët, mblidhej të jetonte në dy dhoma shumë të ngushta, pasi në pjesën tjetër të shtëpisë jetonte familja e xhaxhait. Dhe mjafton të përfytyrosh një shtëpi krejt të rrënuar, me tavan të ulët dhe të shqyer, për të krijuar një përshtypje se sa e vështirë kishte qenë jeta në një kooperativë bujqësore të kohës së diktaturës, ku prindërit e Franit nuk ishin më shumë se bujq të rëndomtë për bukën e gojës. Por fatkeqësia më e madhe do të vinte në vitet e para të demokracisë, kur sherri në një qendër votimi i merr familjes të zotin e shtëpisë. Tom Shtjefni qëllohet me armë dhe plumbi nuk ndalet duke pushkatuar gjithë familjen që mbetet pa asnjë mbështetje. Moment që detyron Franin adoleshent, të marrë udhët e kurbetit dhe të punojë fort. Aq fort, sa të mbajë familjen dhe të nisë një shtëpi, një shtëpi të lartë, të madhe, më katër kate për të katër vëllezërit, një shtëpi që të dukej nga larg si të ishte simbol i vetë vitalitetit. Por edhe një shtëpi e gjitha e ndërtuar me punë të ndershme, thënë ndryshe me djersë e gjak.   Krenaria“Vilën e ka ndërtuar para se të njihej me greken Rula. Madje që kur u lidh më të, në objekt nuk është vënë më asnjë tullë”, rrëfen mbështetur pranë sobës me zjarr bubulak, File Shtjefni, një grua plakë rreth 80-vjeçare, fqinje dhe njëkohësisht kushërirë e familjes së Franit që dikur kishte pritur në shtëpi për kafe nipin dhe nusen e tij greke. Gruaja plakë rrëfen se e kishin pritur si të ishte vetë Perëndia, mysafiren e largët dhe se të njëjtën gjë do të bënin nëse ajo do u trokiste sërish në derë. “E kemi traditë që t’i hapim derën atij që vjen si mik. I hapim derën edhe nëse nuk na pëlqen”, është në thelb filozofia jo vetëm e nënës File, por e gjithë zonës dhe njerëzve që edhe sot pranojnë dhe zbatojnë një pjesë të ligjeve që vijnë nga Kanuni i famshëm i Lekë Dukagjinit. “Por jo të thotë Rula, se e ka marrë gjithë familjen e tij në Greqi, sepse i ka marrë vetë Frani, para se të njihej me të. E dëgjuam dje në televizion dhe nuk na erdhi mirë”, hidhen familjarët e tjerë që shprehin një pakënaqësi duket e ardhur nga një pasaktësi mediatike. Gjithsesi kaq mjafton që bashkëbiseduesit të futen në një rreth revolte. Janë nga ajo racë njerëzore që më shumë se gjithçka vlerësojnë krenarinë, që s’duhet të njolloset në asnjë mënyrë. “I mori Frani dhe ne kujtojmë se shitën lopën e dhitë për të bërë lekët e udhëtimit klandestin. Kaluan nga Maqedonia, në këmbë”, shtojnë me një frymë. Dhe më tej: “Rulën e kemi pritur dhe respektuar si të ishte Helena e Trojës. Për shkak të respektit ndaj Franit e priti gjithë fisi, gjithë shoqëria, nuk e lamë të binte përtokë”, mëshojnë me të njëjtin opinion të betonuar. Në vazhdim me ton të ndërruar rrëfejnë se Rula kishte ardhur me një kostum zadrimor, se nuk e dinin se ishte e pasur dhe se respektin Franit dhe asaj ia kishin bërë sikur ai të ishte martuar me një 15-vjeçare. Ndërsa kur kanë mësuar se janë ndarë, kushërinjtë e shumtë të Fran Shtjefnit, flasin me tjetër gjuhë. Ndarja duket u ka përkëdhelur sedrën. Thonë shkurt edhe se “na erdhi keq që u ndanë”, edhe se “në këtë rast s’ka ç’duhet gjë pasuria”. Duket mentaliteti i zonës, edhe pse kohët e fundit i lodhur nga ngjarje që e kanë shënjestruar për ta ndryshuar, nuk e pranon një lidhje të një djaloshi të ri me një femër që është edhe më e shkuar në moshë se nëna e tij.e vërteta e pathënëGjithsesi në gjurmë të historisë së Fran Shtjefnit dhe miliarderes greke Rula Brohopoulu, aty nga fundi i udhëtimit, panorama është më e qartë. Në fshatin Dajç–Zadrimë, ku Rula ka bujtur më 29 janar 2007, me rastin e dasmës së Aleksandër Simonit dhe Beltina Gazullit, që të dy kushërinj të afërt të Fran Shtjefnit, enigma e historisë është edhe më e lexueshme edhe pse askush nuk dëshiron të flasë i identifikuar. Janë të njëjtët njerëz që e kanë pritur shumë miqësisht Rulën edhe gjatë vizitës së dytë, dy muaj më parë, në shtator, kur ajo kishte ardhur edhe pse ishte e ndarë me Franin. Të njëjtët që thonë se do i hapin dyert e do e presin në çdo kohë nëse do u trokasë si mike, të njëjtët që pranojnë edhe dëshirën e saj të fundit për të pasur një shtëpi në fshatin e tyre...“Por mos kujtoni se gjithçka që ndodh është ashtu si thuhet në televizione...”, është fjalia që na ndal frymën. Njeriu përballë rrudh vetullat dhe bën një fytyrë të vuajtur kur flet. Thotë se në gjithë këtë histori i humburi i vërtetë është vetë Fran Shtjefni dhe ca më tepër edhe familja e tij. I njëjti thotë se tashmë pas ndarjes fakti, që Frani vazhdon të punojë atje ku ka punuar para se të lidhej me Rulën, në një ndërmarrje që prodhon elemente duralumini, thotë shumë. Thotë se Frani nuk ka përfituar asgjë prej ish-gruas së tij të pasur. Po kështu edhe familja, nëse nuk do të llogaritet ndihma e Rulës, për t’i pajisur me dokumente qëndrimi në Greqi, një ndihmë që injorohet gjithsesi e justifikuar me faktin se të gjithë shqiptarëve në Greqinë fqinje u është dhënë shansi periodikisht të pajisen me dokumente qëndrimi. “Kemi dëgjuar se ajo i ka dhuruar Franit një fuoristradë “Toyota” që ka kushtuar 85 mijë euro...”“Ku është, a mund të na thoni? Në pronësi të kujt është, a e dini? Se Frani nuk ka asgjë veç shpatullave të veta”, është përgjigjja e dhënë me një frymë. Më tej shpërthimi: “Ajo është duke i shkatërruar jetën. Truprojat e saj e survejojnë përditë, i rrinë nga pas si hije, i ndërhyjnë në jetën private. Gazetarët gjithashtu... Grekja duket se ka dëshirë të bëjë show në televizione me këtë histori dhe prej këndej të korrë të ardhura të tjera... A ka gojë Rula të flasë për nënën fisnike të Franit. E ka pritur si mbretëreshë, e veshi me duart e saj me kostum zadrimor, kurse tani që Frani vendosi të ndahet, Rula e përçmon...”. Mashkullit që rrëfen në këtë kohë i formohet në majë të gjuhës ajo pasthirrma e pakontrolluar... E kemi dëgjuar disa herë dhe tashmë na duket më e identifikueshme. Është diçka e ngjashme me “e marrtë morti!”, ose “e marrtë e mira!”. Shprehje që nuk kanë shumë dallim në momentin e nxjerrjes në dritë. Të dyja shfaqin mosaprovim të dukshëm.Historia më e dashur e televizioneve grekeHistoria e martesës dhe ndarjes së shqiptarit 28-vjeçar Fran Shtjefni dhe miliarderes greke 58-vjeçare Rula Brohopolu, është ndoshta më e gjuajtura nga mediat greke kohët e fundit. Ajo ka nisur rreth dy vite më parë, kur Rula, një personazh i njohur në Greqi për shkak të pasurisë shumë të madhe dhe e bërë edhe më e famshme gjatë një emisioni televiziv shumë të ndjekur të kategorisë “reality show” njihet me djaloshin shqiptar Fran Shtjefni dhe me kalimin e kohës dashurohet pa kushte. Vënë kurorë në Greqi dhe më pas ndërmarrin edhe një vizitë në vendlindjen e Franit, në Nënshat të zonës së Zadrimës. Por lidhja zgjat vetëm një vit, pasi shqiptari largohet. Një ngjarje që shoqërohet me shumë përpjekje të grekes për ribashkim. Ndërkohë në lojë futen edhe mediat greke që e ngrenë historinë në zenit. Lotët e Rulës para kamerave tashmë njihen nga të gjithë grekët. Vlen të theksohet se në intervistat e saj, Rula flet me shumë respekt për shqiptarët edhe pse në këtë rast sulmohet shumë, por edhe lavdërohet për sinqeritetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›