Miliband: 2009-ta viti i ndyshimeve botërore
Ministri i Jashtëm britanik David Miliband, i cili ndodhet për vizitë në Bejrut ka deklaruar se viti 2009 do të jetë ai i ndryshimit në shkallë botërore dhe në Lindjen e Mesme falë zgjedhjeve në disa vende kryesore. "Besoj se 2009-a do të jetë një vit shumë i rëndësishëm. Ky do të jetë viti i ndryshimit në nivel botëror me një president të ri amerikan, një qeveri të re izraelite, zgjedhje në Liban si dhe në Iran", është shprehur kryediplomati i Britanisë së Madhe pas një takimi me presidentin libanez, Michel Sleimane. "Çdo vend duhet të reflektojë se si duhet të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme", ka shtuar Miliband. "E dimë të gjithë se nuk ka paqe dhe stabilitet në botë nëse nuk ka paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme. Po ashtu, nuk ka paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme nëse nuk ka në Liban", ka nënvizuar David Miliband, i cili po zhvillon një turne në rajon. "E dimë se do të ketë një shans të vërtetë për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme kur Libani të mos jetë më viktimë e konflikteve të të tjerëve", ka theksuar ai. Miliband bisedoi me presidentin libanez për rëndësinë e stabilitetit të Libanit pas zgjedhjeve të ardhshme legjislative në vend në pranverën e vitit 2009. Gjithashtu, nga Libani, ministri i Jashtëm britanik ka dënuar piraterinë në gjirin e Aden-it dhe deklaroi se vendi i tij do të drejtojë muajin e ardhshëm një komision europian sigurie për luftimin e piratëve.