E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miliband: Kosova e ka vendin në BE

 

PRISHTINE- Britania e Madhe do të përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt prosperitetit dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Deklarata erdhi nga shefi i diplomacisë britanike, David Miliband nga Prishtina, ku ndodhet për një vizitë. Miliband u shpreh pas takimit me krerët e lartë të shtetit se Britania dëshiron që ekonomia kosovare të ecë përpara.
“Qeveria e Britanisë e ka përkrahur rrugën e tuaj të vështirë deri në pavarësimin e Kosovës dhe do t’iu qëndrojë pranë në rrugën drejt prosperitetit”, ka thënë ministri i Jashtëm britanik, David Miliband.
Ndërkaq, në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Miliband ka thënë se Britania është krenare të qëndrojë pranë Kosovës, Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit për të gjetur të ardhmen tuaj në familjen evropiane. “Kosova e ka një vend në tavolinën evropiane”, ka thënë ai.
“Vendet vendosin vetë për njohjen e Kosovës. Unë jam krenar që vendi ynë e ka njohur pavarësinë” ka deklaruar nga Prishtina, ministri i Jashtëm britanik Miliband. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›