E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miliband e dëshiron Blairin për president të BE-së

Ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, theksoi sot se ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair, duhet të emërohet president i Bashkimit Europian, në mënyrë që ti sigurojë Europës një zë të fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Këto komente të Milibandit u shfrytëzuan menjëherë nga zyrtari i lartë i konservatorëve në opozitë, William Hague, i cili theksoi se hapat e ndërmarrë, për të instaluar Blairin për president të BE-së, dëshmojnë për atë se Britania është dashur të organizojë referendum për Traktatin e Lisbonës.

Hague gjithashtu refuzoi që të pranojë humbjen, sa i përket premtimit të konservatorëve për organizimin e referendumit, përderisa presidenti i Çekisë të mos e nënshkruajë Traktatin gjatë javëve në vijim dhe shtoi se votuesit në Britani nuk janë pyetur fare sa i përket rolit të presidentit të ri të BE-së.

Kandidatura e mundshme e Blairit për president të BE-së, e cila zyrtarisht ende nuk është shpallur, rrezikon të lë nën hije samitin dyditorë të udhëheqësve të shteteve anëtare të BE-së, i cili filloi dje në Bruksel, në të cilin ishte paraparë të diskutohej për ndryshimet klimatike dhe rregulloret financiare.

Miliband në intervistën dhënë gazetës Financial Times nënvizoi kredencialet e Blairit për funksionin e presidentit dhe kritikoi vendimin e rrezikshëm të konservatorëve britanikë, për të lidhur aleancë me partitë e djathta në Europë. Ministri i Jashtëm i Britanisë theksoi se duke pasur parasysh forcimin gjithnjë e më të madh të Kinës dhe Indisë, është fakt se BE-ja tani ka nevojë për një zë të fuqishëm në arenën ndërkombëtare.

Miliband theksoi se kandidatura e Blairit është çështje e substancës, e jo e personalitetit dhe akuzoi konservatorët se po angazhohen për instalimin e një presidenti të dobët, duke cituar me këtë rast komentet e bëra gjatë javës nga ana e udhëheqësit të konservatorëve, David Cameron, i cili theksoi se presidenca e BE-së duhet të jetë ceremoniale.

Po flasim për Këshillin e Europës, e jo për një Këshill të thjeshtë. Po të flitej për një Këshill të thjeshtë, atëherë është në rregull deklarata e Cameronit për një rol ceremonial. Por këtu po flasim për Këshillin e Europës, tha Miliband.

Ai hodhi poshtë sugjerimet se roli i Blairit në Irak e ka përçarë Europën dhe se e ka diskredituar atë për të mbuluar funksionin e presidentit të Europës.

Nuk mendoj se është e drejtë të thuhet se Blair ka përçarë Europën në lidhje me Irakun; ishte Iraku ai që ka përçarë Europën. Ai mori një qëndrim të fuqishëm dhe të qartë, tha Miliband.

Hague theksoi Traktati i Lisbonës fillimisht kishte për synim lehtësimin e procesit të vendimmarrjes në radhët e BE-së, ndërsa tani ka të bëjë me nevojën për një president të fuqishëm, i cili do të respektohet në tërë botën.

Natyrisht, njerëzit do të thonë:Nëse ky funksion është aq i rëndësishëm, atëherë duhet të kemi një referendum, për të cilin kemi argumentuar që moti. Kjo krijon ndjenjën tek njerëzit se ata nuk janë trajtuar në mënyrë të sinqertë, e që në fakt nuk ka ndodhur gjatë katër viteve të kaluara, tha Hague.

Miliband mohoi idenë se Blair, si president i Europës, do të jetë një gjë, e cila do të shfrytëzohet nga euroskeptikët.

Ne besojmë se edhe përkundër faktit se BE-ja nuk është e përkryer, ajo ka nevojë për reforma. Gjëja e fundit që i nevojitet është rrëmuja institucionale, e cila ka mbretëruar gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit, tha Miliband.

Konservatorët kanë premtuar një referendum për Traktatin e Lisbonës, nëse fitojnë zgjedhjet në Britani dhe kanë thënë se nuk do ta mbyllin këtë çështje, edhe nëse Traktati ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, para ngritjes së tyre në pushtet.

Hague refuzoi të thotë se çfarë do të bëjnë konservatorët, nëse presidenti i Çekisë, Vaclav Klaus, nënshkruan Traktatin gjatë javëve në vijim, duke kompletuar kështu ratifikimin e dokumentit nga të gjitha 27 shtetet anëtare të unionit.

Gazeta britanike, Daily Telegraph, citoi një ministër të kabinetit të konservatorëve nën hije, i cili theksoi se do të zhvillohet një luftë pesëvjeçare me Europën, nëse BE-ja e zgjedh Blairin për president.

Porosia është e qartë: mund të kesh Blairin si president dhe një luftë pesëvjeçare me Britaninë, apo mund të kesh një president tjetër dhe marrëdhënie të mira të punës me Britaninë, tha ky zyrtar.

Gara për presidentin e BE-së zyrtarisht nuk mund të fillojë, pa u ratifikuar Traktati.

Funksioni i ri nuk ekziston ende dhe ajo që është me rëndësi, Blair ende nuk e ka kumtuar kandidaturën e tij për funksionin e presidentit, tha një zyrtar i BE-së.

(The Guardian)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›