E Diel, 1 Nëntor 2026

Miliona turistë “zbulojnë’ Shqipërinë

Tiranë, 5 gusht - Në një hark kohor prej një muaji (1 qershor - 31 korrik) në Shqipëri kanë hyrë rreth 1.4 milionë turistë. Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Qeverisë, të mërkurën, tha se numri i turistëve këtë vit është rritur me 26 për qind, duke thënë se pritet që ky vit të sjellë një rekord në numrin e vizitorëve që kanë preferuar bregdetin shqiptar gjatë kësaj vere. “Të pakuantifikuara, por të paprecedent janë të dhënat për turizmin. Këtë vit, rritja është tërësisht e bazuar te qytetarë joshtetas shqiptarë. Rritja është rreth 25-26 për qind dhe kjo nuk është e vogël”, u shpreh kryeministri, duke theksuar se e veçanta këtë vit është se është rritur numri i pushuesve qytetarë joshqiptarë.  Sipas kreut të ekzekutivit shqiptar, turizmi vijon të jetë një prioritet i punës qeverisëse dhe duket se frytet e kësaj pune po vilen që këtë verë. Rruga, sipas tij, ka qenë një ndihmesë e madhe, sidomos në rritjen e numrit të pushuesve nga Kosova”. Në dy vite së bashku, turizmi në Shqipëri u rrit me 60 për qind. Kjo ishte jashtë çdo mundësie të arrihej, po të mos ishte rruga. Një rritje e tillë është tërësisht kontribut i rrugës së kombit. Në qoftë se në vitin 2004, në Shqipëri hynë gjithsej 300 mijë turistë, vitin e kaluar, hynë rreth 3 milionë turistë. Nuk ka ndonjë vend tjetër, që në një hark kohor 5-vjeçar, të ketë dhjetëfishuar turizmin, siç ka ndodhur në Shqipëri. Edhe në vitin 2004, Kosova ishte aty, dëshira e tyre ishte po aq e madhe, po ashtu edhe e Maqedonisë apo e kombeve të tjera, emigrantët tanë ishin sërish, por turistë vendi kishte gjithsej 300 mijë”, tha kryeministri. Sipas tij, ky vit e tejkalon qartazi vitin e kaluar. “Turizmi po shndërrohet gjithnjë e më shumë ndër degët më kryesore të ekonomisë shqiptare. Në këto 5 vite, nuk ekziston asnjë degë tjetër, në të cilën ne të kemi regjistruar dhjetëfishim, si turizmi. Kjo do të thotë se dhënia përparësi turizmit ka qenë një nga vizionet dhe një nga politikat më të drejta dhe vazhdon të mbetet një nga përparësitë më madhore”, tha kryeministri Berisha.  Sipas tij, numri i turistëve është rritur me shpejtësi, por po aq agresiv dhe i vendosur ka qenë qëndrimi i Qeverisë për infrastrukturën e zonave turistike. “Janë investuar mbi 750 milionë euro nga Shkodra në Ksamil, në ultësirën bregdetare të vendit, në rrugë, kanalizime dhe infrastrukturën tërësore. Këtë vit, në përputhje me angazhimin, ne përfundojmë asfaltimin e të gjitha rrugëve që të çojnë drejt detit. Gjithnjë e më shumë po bëhet realitet motoja “Kombi sytë drejt detit”, drejt Perëndimit”.  Për të ruajtur nivelin e turizmit në vend, kryeministri u bëri thirrje autoriteteve lokale, të gjitha agjencive qendrore të bëjnë gjithçka kanë në dorë për t’ua bërë më të bukura pushimet atyre që kanë preferuar, vlerësuar dhe nderuar Shqipërinë, por edhe kanë ndihmuar substancialisht me shpenzimet që ata bëjnë në këtë vend. Sipas tij, duhet të bëhet gjithçka që numri i turistëve të vijojë të jetë në rritje dhe Shqipëria të jetë destinacioni turistik i çdo të huaji.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›