Flamuri duke numëruar miliarda euro
Flamuri është parë dje rrugëve të Lezhës duke numëruar me gishta dhe duke përmendur shifra të frikshme. 1 miliard euro, plus gjysmë miliardi euro, plus 1,4 miliardë euro, plus 1.2 miliardë euro…. Mendohej pak, ngatërronte gishtat dhe e niste nga e para. Kaq miliardë nga ky projekt, kaq miliardë nga ky projektim, i mblidhte dhe i dilnin mbi 5 miliardë. Ngatërrohej dhe e kthente sërish. Ai burri e kishte ngatërruar, se, sa herë që bëheshin inaugurime, fliste për shifra mbi një miliard. Më në fund, e vendosi që për Lezhën ta lërë shifrën 4 miliardë. Ai burri në fakt e tha 3.3 miliardë, por Flamuri shtoi dhe një fabrikë çimentoje, që ai burri s’e përmend, se ka frikë se i thonë është djali pas gjithë kësaj me 30 për qind dhe i bëri 4 miliardë. 4 miliardë euro Lezha as në ëndërr s’i ka parë, tha. Le të shkojmë më poshtë. Nga Gjiri i Lalzit deri në Porto Romano, 7 miliardë. Filloi me radhë, kaq parku energjitik, kaq parku industrial. Kaq pontili i naftës, kaq TEC-i me qymyr, kaq linja nëndetare. U bënë 7 miliardë. Shkoi më poshtë. Nga Semani në Vjosë, 6 miliardë. Nisi t’i numërojë dhe ato me gishta, kaq parku energjitik, kaq TEC-i, kaq linja e interkoneksionit, iku dhe ajo. Shkoi në Vlorë. U bënë dhe aty nja 3 miliardë. Filloi prapë me gishtat, kaq Petrolifera, kaq parku energjitik me erë, kaq TEC-i me qymyr, kaq rafineria, iku dhe ajo.
Iu bënë të gjitha nja 20 miliardë euro. Shumë qenkan, tha me vete. ǒna duhen gjithë këto pará? Do bëhemi vendi më i fortë i rajonit dhe do na sulmojnë. Duhet paralajmëruar ai burri, tha, se me gjithë këto pará na duket vetja si në kohën e Vehbiut.
I shqetësuar realisht për shifrat takon Ridvan Boden.
- Si do t’ia bëni me gjithë këto lekë? Ku do t’i harxhoni? - e pyeti.
- ǒleka o byrazer? Unë s’kam kokërr leku t’i jap turqve që po bëjnë rrugën e Kalimashit, ti më thua ç’do t’i bëni.
- Po ja, këto miliardat që thotë ai burri në këto inaugurimet, se i kam mbledhur dhe më dalin 20 miliardë.
- Llogje thua ti o? Unë dua leka, se me llogje t’i bëj unë 40 po deshe. Ata janë kot o byrazer. Vijnë dalin në televizor dhe ikin. I bien ndonjë kollare Genc Rulit, se dhe leka nuk japin, se ndërmjetës janë për vete.
- Po kjo që tha ai burri, që do formojnë Pol Energjitik në Lezhë, kot ishte o?
- Po lere këtë muhabet o Flamur, mos më zë në gojë lekët, se kam gjithë ato halle dhe s’kam kokërr leku në buxhet, ti më flet për pallavra.
- Po mirë o, asnjë vlerë nuk kanë këto projekte? - tha Flamuri.
- Kanë o byrazer si s’kanë. Janë lekë për të ardhmen. Janë licenca që jepen tani dhe shiten nesër. Ata që i kanë marrë sot një euro, nesër i shesin miliona euro, po gjetën blerës. Po leka s’ka as sot, as nesër. Punë sekserësh është. Bëhen ca njerëz bashkë, gjejnë një italian apo spanjoll, marrin një licencë dhe e shesin nesër. Kaq është e gjitha.
- Po sikur të bëhen vërtet këto gjëra, kur të jetë në pushtet Edi Rama, ka burrë që e lëviz më atë me gjithë këto pará? - tha Flamuri.
- Po ik bre byrazer, se janë llafe, nuk janë leka.
- E kuptova, - tha Flamuri. - D.m.th., unë i paskam numëruar kot këto shifrat?
- Jo mirë ke bërë, - tha Ridvani. - Mbaji shënim sa ka thënë ai burri që t’i përsërisim të gjithë njësoj në fushatë se do na kapin këta të “Fiksit” duke thënë shifra të ndryshme për të njëjtën gjë dhe do na dalë boja. Për siguri për çdo licencë pyet Rulin, se ai i mban mend shifrat e lekëve.