E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, votat e të djathtës kalojnë buxhetin, komunistët vlerësojnë Berishën

Nga A.Kaja

Ndryshe nga sa pritej, buxheti i bashkisë së qytetit muze për vitin 2009 ka kaluar lehtësisht duke marrë 20 vota pro kundrejt 12 votave kundër të grupit të PD. Ndërkohë që këshilltarët socialistë i druheshin një bashkimi të votave të tre këshilltarëve të LSI me votat e të djathtës dhe që do të përbënin shumicën, ka ndodhur krejt e kundërta. Buxhetin e kanë votuar jo vetëm këshilltarët “rozë”, por me votat e tyre janë bashkuar edhe votat “rozë” të këshilltarëve të PDK, PAD, partisë së Xhuvelit dhe vota e këshilltarit të LZHK. Sipas këshilltarëve të djathtë, edhe pse ata kanë pasur ndonjë rezervë të vogël, në tërësi me buxhetin e vitit 2009, është punuar mirë, ndaj edhe e kanë votuar atë duke dalë jashtë grupimit të këshilltarëve të PD. Nga numri 35, në sallë ishin të pranishëm 32 këshilltarë dhe votuan pro buxhetit 20 dhe kundër 12 këshilltarë që i përkisnin grupit të këshilltarëve të PD. Nga diskutimet e pakta është për t’u veçuar si diskutim kritik ai i këshilltarit të PD, (kryetarit të Këshillit Bashkiak), Arenc Berati, këshilltarit tjetër të PD, dhe njëherazi drejtor i DRA, Yzedin Hima, i cili e kritikoi buxhetin për mungesë të vëmendjes nga ana e Bashkisë Berat, e cila nga buxheti i vitit 2009 për arsimin ka planifikuar vetëm 1.7% të vlerës totale, vlerë që sipas Himës nuk mjafton as për të blerë pastrues për xhamat dhe fshesa primitive. Hima, duke u nisur edhe nga eksperiencat pozitive që sipas tij kanë dhënë më shumë rezultat, iu ka kërkuar hartuesve të buxhetit që shpenzimet për arsimin të ndahen në shpenzime për numër të nxënësve, propozim që nuk është marrë në konsideratë. Ajo që i ka befasuar të gjithë këshilltarët ka qenë diskutimi kritik për buxhetin i këshilltarit të Partisë Komuniste, Sali Myftari, i cili është shprehur se, edhe pse nuk është dakord me këtë buxhet, është i detyruar që ta votojë. Ai i propozoi Këshillit të bashkisë që të ngrihet një komision dypalësh nga këshilltarë të PD dhe këshilltarë të PS dhe të marrin një takim me kryeministrin e vendit, Sali Berisha, ku t’i kërkojnë të gjitha investimet që do të realizohen nga qeveria për vitin 2009, dhe t’i kërkojnë atij që t’i ndjekë vetë këto investime, pasi, siç u shpreh ai, “Sali Berisha është burrë i ndershëm dhe nuk vjedh, por investimet që akordohen për njësitë vendore shpërdorohen, kur vijnë në bashki apo komuna”. Ky konstatim dhe vlerësim i Saliut të PK për Saliun e PD është duartrokitur nxehtësisht nga këshilltarët e PD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›