Historia dhe hyzmeqarët
Ka do figura historike që nuk nëpërkëmben. Përndryshe kemi vepruar për armikun. Rilindasit na lanë shumëçka, që mund të krenohemi. Hoqën dorë dhe nga besimet që u përkisnin, se popullin e konsideronin një trup e shpirt e atdheun diçka të shenjtë. Në kohën e gjysmëhënës, e cila e kishte mbuluar Gadishullin Ilirik, Vaso Pasha hodhi slloganin: Feja e shqiptarit shqiptaria. Rilindasit përkrahen, se kjo bashkonte shqiptarët përballë të keqes. U shndërrua pra në betim kombëtar, që nuk bën të ngrihet dorë. Simbolizon tolerancën tonë, që mbetet enigmë edhe për gëlltitësit e hapësirës sonë që bënë çmos të na godasin aty ku më së shumti na dhemb.
Këtë mesazh ca nuk e pranojnë, as nuk pajtohen me urtakët tanë të hershëm. Ky horrorizëm, nga cilado anë që shfaqet, mbështet se shqiptarët duhet të kërkojnë shtigje të tjera. Sipas “bajraklive” trefertalësh hapësirës sonë bën t’i kanoset coptimi dhe të mbyllet çështja shqiptare njëherë e përgjithmonë. Kjo është ëndërr edhe e fqinjëve, që duan të na shohin xhuxhimaxhuxhi.
“Mençurinë” e këtij synimi, nëse bën ta quajmë kështu, e shoh mjerim nacional në një kohë të ligë kur duhet të prajnë fërkimet mes nesh. Komunikimet brendashqiptare lypset të shtohen dhe të ngrisin çështjen e integrimit. Nuk është utopi as nuk e përcaktojnë perënditë ditën kur do të ndodhë kjo. Është forcë e brendshme që tërheq kah bërthama e Kombit. Serbët çështja e Kosovës i bashkon me shekuj, ç’duhet të ndodh që edhe neve të na zgjojë?
Secili popull ka të drejtë t’ia përcaktojë vetes fatin. Rrugëtimi ynë ka diçka me Atlantidën. Mund ta realizojnë urtakët e guximtarët. Skizofrenët, servilët e mediokrit janë pjellë e zhurmës, e rastit. Pra, dhe horrorizmi trefertal. Në të dy anët e Drinit, megjithatë, ka diçka që i mungon anës tjetër. Kjo mund të jetë dhe bukuria. Shileri thoshte: “Është e domosdoshme që njeriu ta zbulojë atë”. Toleranca më bëhet se na është diçka e veçantë në historinë tonë. Ta nëpërkembin këtë e t’u hapim udhë hordhive vdekjeprurëse?
Në vitin 2005 nga Stambolla zbriti një zotëri midis atdheut dhe kërkoi të shqyrtohet figura e Skënderbeut. Më vonë u shfaq libri i zotit Schmitt me ide e teza që kërkon demitizimin e figurës Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Vitin që kaloi Ben Blushi me romanin “Të jesh ishull” na kthen në Voskopojë. Me humorin e tij fin dhe përmes figurës së Sali Binishit e preku veriun mitik veriun mitik. Hyzmeqarët mezi prisnin të duken në skenë e të ngrisnin zërin për demitizim të ca figurave. Mendoi se nuk bën të preken. Filloi disi të shkundet historia jonë nga Marin Barleti e deri te ditët tona. Megjithatë mendoj se nuk bën asnjë guri t’ia lëvizim Kullës.
Në vend se të merremi me gjëra të rëndësishme, t’i bëjmë vend dhe konferencës së Mukjes, të korrigjohen padrejtesitë e shkaktuara nga intrigat e politikës sllave e të ndjehemi më kombëtar, se të mbrosh tendën është nder. Dihet se në atë konferencë e pësoi rëndë ajka intelektuale shqiptare e cila mbështetet bashkimin kombëtar. Kosovën dhe Çamërinë i konsideronte gjymtyrë të atdheut që nuk bën të mbesin jashtë trupit. Fatkeqësisht, armikun e kishim nën lëkurë. Në histografinë e fqinjëve shpesh flitet se kush na është më i lashtë. Unë besoj në atë që e mbështet Herodoti se në Gadishullin tonë janë 2 popuj më të vjetër: Helenët dhe Ilirët. Fqinjët kam përshtypjen se nuk e njohin historinë e tyre. Djepi i serbizmit lëviz herë në veri e herë në jug. Dihet se i vërteti është Rasi(Rashka), 150km në veri të Mitrovicës së sotme. Pse lëviz djepi i tyre mjafton të përcillet mitologjia e barbarogjenëve, për të cilët kritiku e romansieri i njohur Radomir Konstantinoviq i konsideron “Gjeni më të errët të kulturës serbe”.