Militantët në delir, Berisha nuk jep asnjë rezultat
Në ora 02.45 pas mesnate, Berisha ka lënë selinë blu, pa dhënë rezultate konkrete për përkrahësit e PD-së
TIRANË- Në orën 02.45 të mëngjesit, kryeministri Sali Berisha është larguar nga selia e Partisë Demokratike. Por si asnjëherë tjetër, ai është përshëndetur me militantet e mbledhur pranë selisë së PD-së, por pa përcjellë asnjë mesazh.
Kryeministri Berisha nuk beri asnjë koment për mediat, ndërkohe që ishte i fundit që la sot në orët e vona pas mesnate selinë e Partisë Demokratike.
Ndërkohë, sheshi selisë së Partisë Demokratike ishte mbushur me simpatizantë, që prisnin rezultatet e para zyrtare të votimeve. Selia blu është bërë gati për pritjen e rezultateve ende pa mbaruar procesi I votimit.
Mbrëmë pas mesnate, në oborrin e selisë së PD-së, mbizotëronte më tepër heshtja dhe frika se mos rezultatet e publikuara nga sondazhet, në orët në vazhdim mund të përmbysen nga numërimi i votave të çdo qendre votimi.
Për orë me radhë nga selia e PD-së nuk ka pasur asnjë reagim të përfaqësuesve të lartë të saj apo drejtuesve kryesorë as për ecurinë e procesit të votimit, mbylljen e tij apo problemet e hasura, as për ecurinë e procesit të numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve.
Numri i personave që ndoqën nga terreni shpalljen e rezultateve ishte më i ulët se sezonin e kaluar të zgjedhjeve parlamentare dhe rreth orës 01:30 sheshi filloi të boshatisej, mbështetësit e PD-së filluan të braktisin ambientet e saj, për mungesë të dhënies së informacionit të shpejtë dhe rezultateve zyrtare.
Megjithatë ka pasur militantë besnikë që kanë qëndruar në shesh deri në orët e para të mëngjesit për të zbuluar të gjitha rezultatet që publikoheshin nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.
Ndërkohë, që situata zgjedhore është karakterizuar nga tone të ulura dhe nga një frymë mirëkuptimi midis liderëve të dy partive të mëdha e rivale, përkrahësit e Partisë Demokratike nuk e kanë treguar një gjë të tillë. Mbrëmë ata kane qenë mjaft euforikë, duke festuar në sheshin Skënderbej por edhe para Presidencës.