Obama:Masa urgjente për ekonominë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama, ka deklaruar se vendi i tij mund të zhytet në një recension që do të zgjasë për vite të tëra, në qoftë se nuk do të ndërmerren veprime të shpejta. "Nuk besoj se është shumë vonë për të ndryshuar kursin, por nëse ne nuk do të ndërmarrin një aksion dramatik sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo do të ndodhë. Nëse nuk bëhet asgjë, recesioni mund të zgjasë me vite dhe papunësia mund të dyfishohet", u shpreh Barak Obama. Presidenti i ri amerikan theksoi se kriza nuk ka ndodhur vetëvetiu dhe se nuk mund të kapërcehet vetëm duke pritur, sic tha ai, 'ardhjen e ditës më të mirë'. Sipas Obamës, kjo krizë ka ardhur për shkak të një periudhe të thellë papërgjegjëshmërie, që shkon prej bordeve të korporatave e deri tek autoritetet në Uashington. Barak Obama dhe ekipi i tij po punojnë me Kongresin për një plan për një paketë të re ndihme për ekonominë, me vlerë prej rreth 800 miliardë dollarësh. Paketa e ndihmës do të përfshijë edhe uljen e taksave për familjet amerikane dhe bizneset, si dhe investimet në rrugë, ura dhe shkolla. Në paketë do të përfshihen edhe për projektet e rigjenerimit të energjisë në vend. Obama shpreson se ky plan do të miratohet nga ligjvënësit brenda disa javëve, pasi ai të inaugurohet në postin e Presidentit më 20 janar.