Milloshoski, ambasador i Maqedonisë në SHBA

Ish-ministri i jashtëm dhe deputet aktual i VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski pritet të jetë ambasadori i ri i Maqedonisë në SHBA.
Kjo bëhet e ditur nga burime jozyrtare për gazetën opozitare “Den” në Shkup, e cila thirret në burime të larta të partisë maqedonase në pushtet. Milloshoski do të udhëtojë drejt Uashingtonit në detyrën e re në fillim të vitit të ardhshëm, duke zëvendësuar ambasadorin e deritanishëm Zoran Jolevski.
Caktimi i Milloshoskit do të shuajë zërat që partisë shqiptare në pushtet do ti takojë kjo përfaqësi diplomatike. Mediat proqeveritare dhe burime pranë partisë shqiptare BDI kohë më parë kishin raportuar se një kuadër shqiptarë do të jetë për herë të parë ambasador i Maqedonisë në kryeqendrën amerikane.