Milo: Berisha duhet të provojë nëse është burrë i fjalës
Dy partitë e mëdha do të përballen me formimin e poleve të reja jashtë tyre nëse nuk i përmbahen marrëveshjes për korrektimin kombëtar të sistemit zgjedhor, si e vetmja garanci për garantimin e barazisë së votës për qytetarët shqiptarë. Kështu është shprehur kreu i PDS-së, Paskal Milo, për Ora News.
Ka një plan B, të gjitha partitë tona po mendojnë për një plan B, qarkullojnë plane të ndryshme, të cilat fokusohen në krijimin e poleve të tjera jashtë partive të mëdha. Është domosdoshmëri, nuk e duam, por po na e imponojnë, mendoj se PD ka interes të mbajë aleatët të grupuar pranë vetes së saj. Një nga arsyet se pse dy partitë e mëdha po tregohen refraktare është lindja e dy fraksioneve politike, FRD dhe Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve, tha Milo.
Kreu i PSD-së ka thënë se të gjitha partitë kanë hedhur firmat për korrektimin kombëtar dhe tashmë pritet të shihet nëse Berisha është burrë dhe do ta mbajë fjalën, pasi PS është e gatshme të pranojë.
Të gjitha partitë e vogla kanë të njëjtin shqetësim, qofshin të majta apo të djathta, për të përcaktuar rregulla të qarta loje. Kjo përpjekje e jona do vazhdojë përgjatë ditëve në vijim deri sa të realizohet. PD ka hedhur firmën në një dokument angazhues për të bërë korrektimin e sistemit dhe heshtja e saj është e frikshme se ndoshta ajo do të mohojë firmën e vet. Ajo ndodhet para sprovës së madhe të besimit nga shqiptarët, Berisha deklaron herë pas here se di të mbajë dhe mban fjalën dhe kjo mbetet për tu parë, u shpreh Milo.
