E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: E domosdoshme ngritja e komisionit ad hoc

23/01/2009  Përgatitja e infrastrukturës zgjedhore

Kreu i PDS-së u shpreh i shqetësuar mbi përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Milo vuri në dukje se “vonesat për ngritjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe problemet me kartat e identitetit janë shqetësuese për standardet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”. Madje, po në këtë linjë kreu i Demokracisë Sociale e cilësoi domosdoshmëri ngritjen e komisioni parlamentar për monitorimin e procesit për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. “Ne mbështesim propozimin e PS-së për ngritjen sa më shpejt të komisionit të monitorimit të këtij procesi të rëndësishëm, me qëllim që ai të mos zhvendoset e të mos përfundojë siç mund të kenë përfunduar dhe herë të tjera iniciativa të kësaj natyre nga PD-ja dhe mazhoranca”, - vuri në dukje Milo gjatë fjalës së tij. Ndërkohë ai doli në mbrojtje të Presidentit Bamir Topi, duke i quajtur të turpshme sulmet që i vijnë nga partia që e votoi në krye të shtetit shqiptar. “Është bërë gati e turpshme. Janë sulme të paprincipta kundër Presidentit të Republikës. “Është e pafalshme, është e turpshme që të fyhet e të sulmohet në mënyrë agresive dhe në mënyrë të vazhdueshme Presidenti i Republikës nga njerëzit e partisë së tij, i cili ka integritetin e tij të plotë, - u shpreh Milo. Një qëndrim i tillë i kreut të Demokracisë Sociale erdhi një ditë pas deklaratës së bërë nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ku vihej re sërish një kundërvënie ndaj institucionit të kreut të shtetit. Duke u ndalur në ato çështje ku u shfaqën dukshëm fërkimet mes Parlamentit dhe Presidentit, siç ishin dekretet për Gjykatën Kushtetuese dhe ai për Kodin Zgjedhor, Topalli qe shprehur se “këtu kemi të bëjmë me detyrime institucionale dhe me fshehjen e përgjegjësisë, apo peshën e përgjegjësisë që secili mban dhe të ikësh nga kultura e konsultimit, natyrisht nuk i bën nder asnjë institucioni”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›