E Diel, 1 Nëntor 2026

“Triumfi”, gjykata lë në arrest me burg 11 trafikantët

23/01/2009  Akuzohen për falsifikim vizash e trafik njerëzor

TIRANË- Gjykata vendos të lërë në qeli 11 nga 15 të arrestuarit e disa ditëve më parë, akuzuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare duke favorizuar trafikun njerëzor. Katër nga të dyshuarit për këto vepra u lanë të lirë. Vendimi u dha dje nga Gjykata e Shkallës së Parë. Gjykata e Shkallës së Parë e dha vendimin e saj duke u bazuar në kërkesën e organit të Prokurorisë. Për katër të dyshuarit e lirë u dha “detyrim për paraqitje”. Edhe pse asnjë prej të pandehurve nuk e kanë pranuar akuzën, ata janë lënë në pjesën më të madhe të tyre në burg. Këta persona u arrestuan tre ditë më parë në një operacion të gjerë me shtrirje në Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër dhe Fier. Sipas të dhënave hetimore, të mbledhura nga Prokuroria që nga muaji maj i vitit 2008, të dyshuarit si anëtarë të këtij grupi kanë siguruar pasaporta, viza dhe dokumente për kalimin e paligjshëm të kufirit me shtetin grek, të shtetasve shqiptarë duke korruptuar individë të veçantë, shfrytëzuar dhe përdorur mjete transporti dhe ambiente strehimi të përkohshme. Gjatë operacionit "Triumfi" u arrestuan shtetasit, Alfred Çikani, Luan Klosi, Ilir Balliu, Dashamir Halilaj, Korab Lama, Myftar Prengezaj, Ardian Berisha, Përparim Lama, Fatmir Vukaj, Thanas Todhri, Astrit Hasa, Ramis Shahini, Fatmir Tato, Gurali Bardhi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›