E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i kandidatit, aplikimi drejt formalizimit

23/01/2009  Çekia jep mbështetjen për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE

Komisioni për politikën e Jashtme do miratojë rezolutën e propozuar nga PD

Çekia, vend i cili ka kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian, ka paralajmëruar zhvillime pozitive rreth kërkesës që qeveria shqiptare pritet t’i drejtojë asaj lidhur me aplikimin për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat. Garancinë e ka dhënë zëvendësministri i parë i Punëve të Jashtme të Çekisë Tomas Pojar gjatë takimit që pati me ministren e Integrimit Majlinda Bregu. Ministrja shqiptare ndodhet për një vizitë pune në Çeki me ftesë të zëvendëskryeministrit për Çështjet e BE-së Aleksandër Vondra. Ndërsa sot Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme do të diskutojë projektrezolutën për integrimin e Shqipërisë në BE.

Mbështetja

“Do të bëjmë të pamundurën për ta mbështetur vendin tuaj në rrugën e integrimit”, - ky ka qenë premtimi dhe sinjali shpresëdhënës që përfaqësuesit të lartë të Çekisë i kanë dhënë ministres sonë të Integrimit për integrimin e Shqipërisë në BE. Gjatë takimit me zëvendëskryeministrin për Çështjet e BE-së Aleksandër Vondra dhe zëvendësministrin e parë të Punëve të Jashtme Tomas Pojar, ministrja Bregu i njohu bashkëbiseduesit me hapat e ndërmarrë nga qeveria dhe shteti shqiptar në rrugën për integrimin e vendit në BE si dhe më specifikisht për rolin që presim të luajë Republika Çeke gjatë periudhës së presidencës së BE-së në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Nga ana e tyre dy përfaqësuesit e lartë të Çekisë shprehën angazhimin e vendit të tyre për të vazhduar trajtimin si prioritet të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në mënyrë të veçantë ata deklaruan se mbështesin Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian. “Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë bisedimet për marrëdhëniet tona bilaterale, është në interesin tonë të vazhdojmë me procesin e integrimit evropian të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Kemi folur me detaje për këtë proces dhe i urojmë Shqipërisë shumë fat në rrugën e integrimit evropian. Ne do të bëjmë të pamundurën për ta mbështetur vendin tuaj”, - tha Pojar. Por ata kërkuan nga Shqipëria që të përmbushë detyrimet e saj në kuadër të MSA-së, siç janë: përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë komunitar, hapat e mëtejshëm që priten të ndërmarrë qeveria shqiptare për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe ecurinë e dialogut për liberalizimin e vizave. Ministrja Bregu, nga ana e saj, përmendi progresin e arritur nga vendi ynë në fushat kryesore të detyrimeve për integrimin evropian, si: reforma zgjedhore, në drejtësi, ajo në administratën publike, situatën ekonomike si dhe në luftën kundër korrupsionit.

Rezoluta

Komisioni i Jashtëm do të marrë sot në shqyrtim projektrezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, përmes së cilës nxitet qeveria shqiptare për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për në BE në fund të muajit janar. “Është një etapë në rrugën e gjatë të integrimit, është një akt që duhet bërë. Për këtë edhe opozita është shprehur në favor të kësaj nisme dhe ka ardhur tamam çasti që Kuvendi solemnisht të nxisë qeverinë që të japë dhe një mesazh për partnerët tanë evropianë për këtë dëshirë”, - tha kryetari i komisionit Preç Zogaj.

Rezoluta

Kuvendi i Shqipërisë shpreh gatishmërinë dhe vendosmërinë për përafrimin e plotë të sistemit ligjor të Shqipërisë me standardet dhe acquis e BE-së, nëpërmjet bashkëpunimit të gjerë dhe afatgjatë mes partive parlamentare; nxit qeverinë e Republikës së Shqipërisë të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE përpara fundit të janarit 2009 dhe të raportojë pranë Kuvendit rreth ecurisë të negociatave; deklaron përkushtimin e plotë ndaj të gjithë procesit të integrimit evropian, duke u mbështetur në parimet për respektimin e të ndryshimeve, partneritetit dhe barazisë si dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të çdo vendi; mirëpret që Parlamenti Evropian vendet anëtare si dhe institucione të tjera të BE-së të marrin në konsideratë konsensusin dhe vendosmërinë që ekziston mes të gjitha forcave politike të Shqipërisë në lidhje me integrimin evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›