E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbën Xhaferri, fitues i çmimit special Lidershipi Shqiptar 2009

Ceremonia

Në një ceremoni të posaçme Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, ka organizuar për të gjashtin vit radhazi ceremoninë e dhënies së çmimeve “Lidershipi Shqiptar” 2009, që ofrohet për personalitetin më të spikatur në katër fusha veprimtarie: Sektori Privat/Biznesi; Shoqëri Civile; Qeverisja; Media & Shtypi si dhe çmimin “Special”.
Ka qenë Arbën Xhaferri i përzgjedhuri si fitues i çmimit special “Lidershipi Shqiptar 2009”. Ai është vlerësuar si një nga politikanët më seriozë shqiptarë në kohët moderne dhe mbetet padyshim një nga intelektualët më të çmuar e me ndikim në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Ai njihet si iniciuesi i ndryshimit të preambulës së Kushtetutës maqedonase dhe si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale.
Me çmimin për kategorinë “Shoqëria Civile” është nderuar Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Për kategorinë “Media & Shtypi” u nderua me çmim Rezart Xhaxhiu, si një nga gazetarët profesionistë të medias shqiptare. çmimi për kategorinë “Qeverisje” iu dha Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter. Ajo është vlerësuar si një nga strukturat më të qëndrueshme dhe serioze të shtetit shqiptar, e cila ka dëshmuar profesionalizëm dhe shpirt sakrifice në situata komplekse të emergjencës, krizave apo fatkeqësive me karakter social dhe natyror.Co-PLAN, nëpërmjet këtij çmimi, synon evidentimin dhe promovimin e vlerave më të mira të shoqërisë shqiptare përmes përfshirjes dhe shfaqjes së opinionit qytetar mbi katër nga aspektet më të rëndësishme të jetës së vendit. çmimi “Lidershipi Shqiptar” ka për qëllim të njohë vlera dhe arritje profesionale të individëve të ndryshëm, të cilët përmes punës së tyre kanë shërbyer si model pozitiv për shoqërinë, kanë sjellë risi në qeverisje, si dhe kanë shfaqur vazhdimisht standarde të larta profesionale dhe etike.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›