Milo: Kartat e identitetit të jepen falas
Kreu i Partisë Demokracia Sociale i është bashkuar dje qëndrimit të selisë rozë, që shtetasit shqiptarë, kryesisht ata që nuk kanë pasaportë, të marrin karta identiteti falas. Pas vizitës në kishën ortodokse me rastin e Pashkëve, kreu i PDS-së bëri thirrje që qeveria shqiptare të reflektojë sa më parë, si e vetmja mënyrë që çdo shtetas shqiptar të ketë mundësinë që të shprehë vullnetin e tij të lirë më 28 qershor. Milo tha se PDS-ja këmbëngul që të jepen dokumentet falas, por mbështet një zgjidhje të pranueshme nga të gjithë shqiptarët. "Ne këmbëngulim që të kemi një zgjedhje në mbështetje te vullnetit te lirë të shqiptarëve që do të realizohet duke i dhënë mundësi të gjithë shqiptarëve që të votojnë dhe të kenë mundësi të votojnë. Ne shpresojmë ende që do të reflektojë për ta çuar vendin në zgjedhje të pakontestueshme të lira e të ndershme", tha Paskal Milo, kreu i PDS-së. Opozita ka bërë kërkesa të herëpashershme që minimalisht 730 mijë personat që nuk kanë pasaportë t‘i marrin dokumentet falas, sepse ata përbëjnë pjesën më të varfër të shoqërisë shqiptare. Përpara këtyre kërkesave, qeveria është tërhequr pjesërisht, duke ulur çmimin e kartës së identitetit, kryesisht për pensionistët dhe studentët. Ndërkohë, opozita ka braktisur të enjten e shkuar edhe seancën parlamentare në shenjë proteste se pse nuk po merret në konsideratë kërkesa e saj për ta dhënë këtë dokument falas. Njëherësh, opozita ka bërë thirrje për dialog mes palëve për të gjetur zgjidhjen e duhur, edhe pse këmbëngul që ajo është heqja e shumës që duhet të paguhet, në të kundërt qeveria do të përballet me protesta dhe manifestime paqësore të qytetarëve shqiptarë. Madje, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, dy ditë më parë nisi në adresë të Kryeministrit një letër publike, ku kërkonte që qeveria të japë karta identiteti falas. Rama ka cilësuar se kjo është një çështje parimore dhe jo politike. Në sinkron me opozitën është shprehur edhe Presidenti Bamir Topi, i cili ka kërkuar dialog në mënyrë që të mos rrezikohen zgjedhjet e qershorit. Por, Partia Demokratike, nga ana tjetër, është treguar e prerë për të mos u tërhequr. Çështja e kartave të identitetit ka sjellë një situatë të re në politikë, duke e tensionuar atë pak kohë para se të nisë fushata elektorale.