Milo: Rama na mashtroi. Gjiknuri: Sistemi nuk ndryshon

PS në shënjestrën e të vegjëlve
“Reforma zgjedhore rrezikon të finalizojë një proces bipartizan të dy partive të mëdha PD- PS”. Për kreun e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, partitë e vogla të majta dhe të djathta duhet të ushtrojnë presion ndaj partive që drejtojnë koalicionet e tyre, në mënyrë që të arrihet së paku korrigjimi i sistemit zgjedhor. Për Milon, situata është e pafavorshme për partitë e vogla, pasi sipas tij, PS s’e ka mendjen të jetë transparente në çështjen e diskutimeve për reformën zgjedhore, por të krijojë monopolin politik me Partinë Demokratike. “Shenjat nuk janë të mira, absolutisht nuk janë të mira. Ka një kontradiktë mjaft të qartë dhe të hapur, midis pretimeve që kanë bërë të dy partitë e mëdha përpara se të ngrihej komisioni parlamentar për reformën zgjedhore dhe për të vënë në jetë atë që ekziston në rekomandimet e OSBE/ODIHR që të ketë gjithë përfshirje dhe transparencë. Por, nuk po shohim as gjithë përfshirje dhe as transparencë. Ajo që po shohim, është se po ecet përsëri në rrugën e vjetër të hartimit të një kodi zgjedhor që i shërben interesave të dy partive të mëdha, për të ruajtur monopolin politik që e kanë vendosur në Shqipëri dhe që alternohen në pushtet herë pas here”, tha Milo. Dy ditë më parë, ka nisur përçarja e parë në punën që po bëhet në komisionin e reformës zgjedhore, sa i përket dorëheqjes së zyrtarëve që kandidojnë në zgjedhje. Për Partinë Demokratike nuk është e nevojshme që zyrtarët të japin dorëheqjen nga postet që mbajnë në kohën kur kandidatët janë në garë, ndërsa PS kërkon të kundërtën, dhe ka propozuar që kandidatët të dorë- hiqen nga postet që mbajnë për tu bërë më pas pjesë e garave elektorale. Por, si të mos mjaftojnë pretendimet e ngritura nga të vegjlit lidhur me mungesën e transparencës dhe rrezikun e monopolit politik të PD dhe PS në reformën zgjedhore, është Partia Socialiste ajo që mendon ta acarojë edhe më tej klimën përmes Damian Gjiknurit, i cili deklaroi dje se “PS s’ka kërkuar dhe as do kërkojë ndryshim apo korrektim të sistemit”. Nga këtu, kuptohet qartë se tryeza e aleatëve një javë më parë, nën drejtimin e Edi Ramës, ka qenë një gënjeshtër e madhe bashkë me premtimin e Ramës se do shqyrtojë pretendimet e të vegjëlve. “PS është për korrektim të një numri të caktuar mandatesh, por jo për ndryshim sistemi”. Ky ka qenë qëndrimi i deputetit të Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, njëherësh dhe anëtar i komisionit për reformën zgjedhore. Ai deklaroi se sistemi pavarësisht se është produkt i dy forcave kryesore politike paraqet probleme të theksuara, probleme këto të cilat sipas tij, vetë kryeministri Berisha i ka lobuar dhe që tani kundërshton tërësisht mundësinë e një rishikimi të tyre. “Sistemi u realizua nga PD-PS, por shfaqi defektet e tij kur u testua. Këtë defekt e ka vënë në dukje dhe vetë Berisha, i cili hodhi idenë të pranonte çdo sistem që do ofronte opozita, duke theksuar se sistemi i ka rënë në qafë partive të vogla. Opozita shprehu gatishmërinë për ta ri-parë, për të adresuar problemet. Vota është e barabartë dhe të paktën duhet ti afrohet një barazie të pranueshme. PS nuk ndryshon dot e vetme sistemin dhe është evidente që në zona të caktuara sistemi deformohet tërësisht. Sistemi kërkon një konsensus të gjerë politik, për të parë deri ç’shkallë mund të shkojë korrektimi, por mazhoranca nuk ka shfaqur një dëshirë për ta bërë diçka të tillë. Kjo kërkon punë dhe konsensus. Gjërat nuk arrihen me presion. PS mbi të gjitha do të ushtrojë presion për standardet zgjedhore por nuk do të bllokojë reformën zgjedhore. Mendoj se ka vend për korrektim të një numri të caktuar mandatesh, por jo ndryshim sistemi”, tha ai. Më tej, Gjiknuri shtoi se komisioni për reformën zgjedhore gjendet në një fazë intensive të kalimit të kapitullit. “Jemi në pikën e regjistrimit dhe dhënien e dorëheqjes së funksionarëve që përfshihen në fushatë si kandidatë. Jemi shprehur se ne bëjmë një garë të pabarabartë në votime. Është një pikë delikate që do ta zhvillojmë nesër në komision”. Gjiknuri theksoi se opozita është përpjekur që në këtë reformë të marrë parasysh edhe interesat e partive të vogla, ndërsa është shprehur prerë se zgjidhje e vetme për një proces të drejtë zgjedhor mbetet numërimi me skaner optik. “Jemi munduar të marrim opinionet e partive të vogla, do të realizojmë dhe takime me to. Ne si opozitë e filluam me çështjen e financimit të partive në fushatë, ku çdo parti do të financohet në bazë të votave të marra, vendim ky që kënaq edhe partitë dhe proporcionalitetin. Kam qenë mbështetës dhe për numërimin elektronik, sepse votat e partive të vogla janë tjetërsuar. Duhet një sistem më i përshtatshëm dhe zgjidhje është numërimi me skaner optik pasi zgjidh çështjen e tabulimit të rezultateve. Kjo është një qasje e duhur që realizon transparence”, theksoi deputeti socialist. Deputeti socialist ka komentuar edhe zgjedhjen e presidentit, ndërsa i mëshoi edhe njëherë qëndrimit të hershëm të PS se kandidati për President duhet të kalojë 3 fazat e para me 84 vota, por nga ana tjetër pranoi se PS mund të imponohet përballë një kandidature konsensuale. “Presidenti është institucion që qëndron mbi palët, përfaqëson unitetin e popullit. Për sa kohë kërkon 84 vota dhe tre raunde imponohet konsensusi. Më e ndershme do të ishte sikur dy palët të gjenin një figurë të pranueshme lidhur me këtë funksion. Një gjë të tillë po e kërkojnë dhe vetë ndërkombëtarët. Berisha do ta kthejë Presidentin si një institucion hakmarrje, por i duhet vendit një figurë që shkon për të larë hesapet? Nëse vendi do të ruajë unitetin kombëtar për të gjitha funksionet që ushtron Presidenti me një kandidaturë partiake do të vihej në pikëpyetje stabiliteti i vendit”, tha më tej ai.
...