Topi, në Itali me ftesë të Napolitanos
Me ftesë të Presidentit të Italisë, Xhorxho Napolitano, Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, dhe në krye të një delegacioni të përbërë nga anëtarë të kabinetit qeveritar, të Parlamentit dhe përfaqësues të biznesit dhe botës akademike, do të zhvillojë në datat 14 -17 tetor 2008 një vizitë zyrtare në Itali. Në kuadër të kësaj vizite, kryetari i shtetit do të ketë takime të rëndësishme me personalitetet më të larta të shtetit italian. Në axhendën e kryetarit të shtetit përfshihen gjithashtu një sërë takimesh me drejtues të pushtetit vendor në Romë, Torino e Kozenca, si dhe me përfaqësues të spikatur të botës akademike në këto qytete. Presidenti Topi do të mbajë një ligjëratë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Torinos. Gjatë qëndrimit në Itali, Presidenti Topi do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të monumentit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, në Kalabri, ku dhe do të takohet me bashkësinë lokale arbëreshe.