Vrasja e kushërirës, si u arrestua i dyshuari (Foto update)

Anton Mbrozi, 37-vjeçar, ishte shpallur person në kërkim për ngjarjen e ndodhur më 1 tetor të këtij viti në Laç të Vaudejësit në rrethin Shkodër.
Viktima Marie Mbrozi, u qëllua me armë zjarri në banesën e Andon Mbrozit dhe autori i krimit pas ngjarjes u zhduk në drejtim të paditur.
Kapja e Andonit
I dyshuari 37-vjeçar ka arritur të fshihet deri sot pasdite, kur edhe është paraqitur në drejtorinë e Policisë së Lezhës ku është prangosur.
Sipas burimeve të policës së Lezhës mësohet se Mbrozi ndodhej te të afërmit e tij në fshatin Spitën të Lezhës ku gjendej i strehua prej fisit.
Marrja e informacionit nga ana e policisë ka bërë që në fshatin Spiten të Lezhës të bëhet rrethimi i banesës ku ndodhej Anton Brozi.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, fillimisht Mbrozi ka rezistuar duke mos dashur të dorëzohej. Në operacion, konfirmohet se kanë marrë pjesë forca policore edhe të drejtorisë së Shkodrës.
Pas negociatave me forcat e policisë, i dyshuari është bindur të dorëzohet. Kështu, atij i janë vënë prangat dhe agjentët antikrim e kanë dërguar në komisariatin e policisë së Lezhës, duke lajmëruar më pas homologët e tyre në Shkodër që e morën për ta strehuar në paraburgimin e tyre.
Tani 37-vjeçari përballet me akuzat e “vrasjes me paramendim” dhe “Mbajtjes pa leje të armeve dhe municioneve”.
Pranon ngjarjen
Burimet policore thanë për agjencinë e lajmeve NOA, se i dyshuari Anton Mbrozi, ka pranuar krimin e 1 tetorit, si ekzekutim në shenjë hakmarrjeje ndaj nënës së tij.
I dyshuari ka deklaruar se e kishte vrarë me pistoletë Marie Mbrozin, pasi besonte shumë se viktima e tij, i kishte marrë jetën nënës së tij, e cila u gjet e vrarë një muaj më parë në Laç të Vaudejësit.
Vrasja e Maries
Ngjarja që i mori jetën 56-vjeçares Marie Mbrozi, ndodhi në orën 09.30, të datës 1 tetor 2008, në vendin e quajtur Laç Vau-Dejës, ku e ndjera, është gjetur e vrarë me armë zjarri të tipit pistoletë.
Grupi hetimor, nga verifikimet e kryera zbardhi se Marije Mbrozi ishte vrarë brenda në banesën e të afërmit të saj, Anton Mbrozi, vjeç 37, lindur në fshatin Mnelë dhe banues në Laç të Vaudejësit”.
Sipas policisë, “në bazë të hetimeve të kryera, i dyshuari Anton Mbrozi, rezulton të jetë autori i krimit i cili pas ngjarjes, është larguar në drejtim të paditur.
”Ngjarja ka ndodhur si pasojë e konflikteve prej disa muajsh ndërmjet viktimës dhe autorit”, - tha atë ditë policia ndërsa shpalli në kërkim të dyshuarin.
r.d/NOA