Mima: Bizneset në Tiranë vlerësojnë reformat e qeverisë
Drejtues të pushtetit vendor dhe qendror, kanë vijuar sot bashkëbisedimin me bizneset në lidhje me nismat që ka ndërmarrë Qeveria për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat personale të të rinjve, si dhe të TVSH-së, për asetet kapitale. Deputeti i Partisë Demokratike, Florian Mima tha se, janë lehtësuar kushtet e të bërit biznes me anë të reformave që ka marrë dhe po ndërmerr Qeveria, por edhe pushteti vendorë.
Sipas tij, ulja e TVSH-së ndaj aseteve kapitale do të ndikojë në rritjen në numër të këtyre subjekteve, në zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese, si dhe në rritjen e punësimit të të rinjve për herë të parë.
“Sot kemi vazhduar takimin me bizneset e njësisë bashkiake numër 1, për të marrë mendimet dhe opinionet e tyre në lidhje me nismat e fundit të Qeverisë, për përjashtimin e pagave deri në 30 mijë lekë, totalisht nga tatimi mbi të ardhurat personale.
Për nismën tjetër në lidhje me punësimin për herë të parë të të rinjve, marrin përsipër nga Qeveria pagimin e kontributeve dhe të tatimeve respektive, përjashtimin nga TVSH-ja, për të gjitha asetet kapitale. Dhe fryma që ndeshim në të gjitha vizitat që kemi bërë me biznesin, është tejet pozitive. Të gjithë e përkrahin nismën e Qeverisë dhe urojnë që këto nisma të vazhdojnë dhe të pasqyrohen edhe më tej” - është shprehur z. Mima.
Bizneset përgjatë rrugës “Bajram Curri”, në njësinë bashkiake numër 1, e kanë vlerësuar së tepërmi iniciativën e marrë nga Kryeministri Berisha në lidhje me heqjen e tatimit mbi të ardhurat e pagave personale deri në 30 mijë lekë, si dhe heqjen e TVSH-së mbi makineritë. Po ashtu disa luleshitëse e kanë vlerësuar iniciativën e kryebashkiakut Lulzim Basha për uljen e taksës së këtij biznesi, pasi ky favorizim ka ndikuar në zgjerimin e aktivitetit të tyre ekzistues.