Shtetet e Bashkuara japin 18.7 milionë dollarë për Serbinë, që të heqë mendjen nga Kosova
Administrata e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, ka miratuar një fond prej 1.7 miliard dollarësh, që do të shpenzohet në të gjithë botën për të financuar politikat për demokratizimin e mëtejshëm të vendeve të tjera. Organizata “Freedom House” ka organizuar edhe një konferencë në lidhje me këtë çështje. Për zonën e Evropës Lindore është parashikuar një fond prej 18.7 milionë dollarësh, që do të shkojë kryesisht për Rusinë dhe Serbinë. Ky fond, specifikon raporti i “Freedom House”, do të shkojë kryesisht për organizatat jofitimprurëse në Serbi që të ndihmojë këtë vend në politikat pro-evropiane. Sipas raportit, ky fond është tepër i rëndësishëm për Serbinë në këto momente, sidomos pas pavarësisë së Kosovës. Fondi i madh prej 1.7 miliard dollarësh i SHBA-së do të shpenzohet kryesisht për vendet me demokraci të brishtë. Krahas Evropës Lindore, mbështetje do të kenë edhe rajone të tjera si vendet e Lindjes së Mesme, vendet e Afrikës Qendrore, vende e Azisë së largët, vendet në Azinë Qendrore, si dhe në vendet e Amerikës Latine, pa përjashtuar edhe vende armiqësore si Venezuela.