Të larguarit nga PS, strehë politike te Meta
Të larguarit nga Partia Socialiste, gjatë tre vjetëve që kjo parti është qeverisur nga Edi Rama, kanë gjetur një tjetër “strehë” për t’u riaktivizuar ose për të qenë më afër politikës, drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe pse katër vjet më parë, kjo parti u krijua si rezultat i shkëputjes së Ilir Metës dhe një grupi deputetësh nga Partia Socialiste, sot ajo është bërë “shtëpia e pritjes” për shumë prej aktorëve më të rëndësishëm të PS-së në kohën kur u krijua kjo lëvizje. Shumë ish-deputetë, ish-ministra, ish-drejtues, si në ekzekutivin që drejtohej nga ish-Kryeministri Nano, ashtu dhe në strukturat partiake të asaj kohe, sot janë të larguar nga PS. Një pjesë humbën garën elektorale të 2005-s, ndërsa një pjesë tjetër nuk e pranoi dorën e fortë të kryetarit të ri. Si pasojë, shumë shpejt në krye të dy viteve pas një reformimi të thellë që i bëri Rama partisë së vet, ish-drejtues të PS-së e panë veten jashtë strukturave të reja të kësaj partie. Por sot, në momentin kur nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare na ndan plot një vit, të larguarit e kanë parë veten më mirë drejt partisë së Ilir Metës, të cilin në 2005-n e kritikuan mjaft ashpër për humbjen e së majtës. Përçarja e fundit mes PS dhe LSI është një situatë mjaft komode që këta të fundit të mbijetojnë politikisht. Pozicionimi i Ilir Metës kundër Ramës, lidhur me reformën zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese, krijoi hapësira të tilla brenda së majtës, saqë përkrah tij të shfaqen publikisht në krah të Metës shumë mbështetës të ish-kryetarit Nano. Figura të njohura në kohën kur Partinë Socialiste e drejtonte Fatos Nano, kanë mbështetur hapur këtë pjesë të opozitës. Ish-zv.kryeministrja Makbule Çeço figuroi si një ndër firmëtaret e kërkesës për referendum, ashtu si Frrok Çupi. Por jo vetëm kaq. Edhe Lëvizja për Politikë Institucionale e drejtuar nga Petro Koçi e ka shfaqur hapur se çfarë e bashkon me LSI-në dhe Ilir Metën. Ndërsa pjesë e saj janë shumica e atyre që mbeten jashtë Asamblesë Kombëtare të PS në qershorin e vitit të kaluar. Pranë politikave të LSI-së është afruar ish-kryetarja e FRESSH-it, Majlinda Keta, ish-ministri i Rendit, Luan Rama, zëdhënësi i Lëvizjes së Nanos, Ylli Dylgjeri, ish-deputeti, Lekë Çukaj etj.
Reformimi
Procesi zgjedhor i 12 majit të vitit të shkuar, si dhe kongresi i 2 qershorit ishte goditja e fundit dhe më e rënda që morën “të padëshiruarit” e PS-së. Shumë prej tyre, kryesisht ish-ministra e ish-anëtarë kryesie nuk arritën të zgjidheshin si delegatë të Kongresit apo anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Duke u etiketuar si mbështetës të ish-kryetarit Fatos Nano, zgjedhja e tyre nuk ishte në preferencën e liderit të ri të selisë rozë. Më pas, Spartak Poçi, Gergj Koja, Majlinda Keta, Makbule Çeço, e mjaft figura të tjera u bënë pjesë e lëvizjes së drejtuar nga Nano, e cila mbeti rrugës. Nano anuloi çdo lëvizje tjetër të mëtejshme, duke shkrirë lëvizjen. Për disa muaj, deri në përplasjen mes Metës dhe Ramës, të larguarit nga Partia Socialiste qëndruan në heshtje. Ftesa e LSI-së ishte e hapur për këdo dhe rimblodhi rreth saj këto ish-figura të PS-së, të cilët janë bërë mjaft aktivë gjatë dy muajve të fundit. Ndërsa Fatos Nano, sipas pasardhësit të tij, është i përjashtuar nga e ardhmja e PS-së, nuk ka bërë ende asnjë lëvizje konkrete lidhur me zhvillimet brenda së majtës. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i pyetur nëse Nano mund të bëhej pjesë e koalicionit të krijuar prej tij, është përgjigjur se “E Majta për Integrim është hapur për këdo, përfshirë këtu edhe z. Nano”.