LRI, grup monitorimi për Maturën Shtetërore
Lëvizja Rinore për Integrim shpalli dje nismën e saj më të re për të ngritur një grup monitorimi për procesin e provimeve dhe konkurruesve për Maturën Shtetërore. Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e këtij forumi rinor, Erisa Xhixho. “LRI sot shpall nismën e saj më të re në ndihmë të të gjithë maturantëve që aplikojnë për të hyrë në universitet, duke krijuar Grupin e Monitorimit të Maturës Shtetërore, të kryesuar nga maturantë dhe specialistë nga më të njohurit të arsimit në vend”, - u shpreh Xhixho për mediat. Sipas saj, ky grup ka si qëllim ndjekjen hap pas hapi të gjithë procesit të Maturës Shtetërore, të gjithë etapave për kalimin nga shkolla e mesme në universitet, duke qenë gjithmonë i pranishëm nëpërmjet evidentimit të çdo problemi që mund të haset, nisur edhe nga eksperienca e vitit të kaluar, ku dhjetëra maturantë të shkëlqyer u lanë jashtë auditorëve të fakulteteve dhe qindra të tjerë u përballën me probleme nga më të ndryshmet, ku dhe nuk fituan degën e preferuar. Nisur nga kjo, LRI i bën thirrje qeverisë që të miratojë sa më shpejt kuotat e pranimit në universitete, në mënyrë që të rinjtë të kenë informacionin e nevojshëm dhe kohën e duhur për të studiuar imtësisht mundësitë, që i ofrohen për të aplikuar në degët përkatëse te Fakulteteve. Ndërkohë që sot fillojnë provimet shtetërore për maturantët, me lëndën e letërsisë. Pasi të mbarojnë provimet e maturës, fillon procesi i konkurrimit në shkollat e larta. Vitin e kaluar Ministria e Arsimit dhe Shkencës është përballur me një numër të madh ankimimesh nga kandidatët për studentë.