“Shqipëria, zhvillim mbresëlënës të gatshëm të investojmë në projekte”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli takon kryetaren e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Maya Graf
Për herë të parë një kryetare e Parlamentit të Zvicrës viziton Shqipërinë. Takimi i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli me kryetaren e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Maya Graf, hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Delegacioni që e shoqëronte zonjën Graf kishte përfaqësues të të gjithë forcave parlamentare zvicerane. “Zhvillim mbresëlënës” e konsideroi zonja Graf, gjithçka që është bërë në një kohë shumë të shkurtër të demokracisë në Shqipëri. Ajo falënderoi Jozefina Topalli për ftesën, si një mundësi për të parë e prekur nga afër realitetin dhe dëshirën e shqiptarëve për të ecur përpara.
Biseda mes dy kryeparlamentareve ishte shumë miqësore dhe e përzemërt. Ato diskutuan për rritjen ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht krizës financiare botërore, për projektet e mëdha infrastrukturore anembanë vendit, për bashkëpunimin në fushat ekonomike, bujqësisë, turizmit, inovacionit e arsimit. Zvicra është një nga vendet më të pasura botërore, një qendër e ekonomisë globale dhe Zonja Graf shprehu interesin e vendit të saj, për të ecur përpara me projekte të tjera bashkëpunimi më Shqipërinë, në vijim të projekteve shumë të suksesshme zvicerane në vendin tonë.
Kryetarja e Kuvendit e njohu delegacionin e lartë zviceran me reformat ekonomike që e kanë bërë Shqipërinë një vend me një ekonomi gjithnjë e më konkurruese dhe dinamike, ku investimet janë në rritje, eksportet janë në rritje dhe biznesi po zhvillohet vrullshëm në një klimë shumë të favorshme. Topalli tha se mbetemi plotësisht të vendosur për të ecur përpara në rrugën e pakthyeshme të integrimit europian të vendit. “Opozita nuk pranoi t’i votonte kurrë tre ligjet e kërkuara për marrjen e statusit, por shqiptarët e duan vendin e tyre në BE dhe për ne, ky mbetet objektiv kryesor”.
Më tej, dy kryetaret e Parlamenteve biseduan për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve parlamentare fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik përmes vizitave zyrtare në të gjitha nivelet Gjatë vizitës në Shqipëri, zonja Graf do të shohë nga afër edhe projekte zvicerane në zbatim. Vizita e zonjës Graf vjen në vijim të shumë vizitave të realizuara për herë të parë në Shqipëri të cilat kanë qenë historike për marrëdhëniet ndërparlamentare dypalëshe, si vizita e Kryetarit të parlamentit të Kanadasë, Islandës, Norvegjisë, Gjermanisë, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar, Arabisë Saudite, Kuvajtit, Pakistanit, Danimarkës, Polonisë, Azerbajxhanit, Jordanisë etj.