Mimi Kodheli: Gratë socialiste janë avangarda e shoqërisë

Mimi Kodheli
SHKODËR - Socialistët duken të fokusuar te gruaja dhe roli i saj. Një direktivë e madhe e BE-së edhe për anëtarësimin kjo. Është zhvilluar sot Forumi i Gruas së PS-së në Shkodër, ku kanë marrë pjesë e diskutuar disa nga emrat më të njohur të kësaj partie; Mimi Kodheli, Eglantina Gjermeni, Olta Xhaçka etj. Më poshtë po shkëpusim copëza nga diskutimi i tyre:
Mimi Kodheli
Kur u emërova si nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, më telefonoi ish-kryetari i saj, Edi Rama. Hezitoja nga frika, sepse më dukej vetja e re në moshë. Nga ana tjetër e telefonit mora këtë përgjigje: Nëse nuk do ta bëjmë unë dhe ti, që jemi lindur këtu, nuk ka për ta bërë kush. Dhe sot them se Shqipëria mund të bëhet. Duhet vetëm shumë besim. Në radhë të parë tek vetja. Ne, që iu japim jetë qenieve të tjera njerëzore, nuk e kemi për asgjë të bëjmë çdo punë tjetër. Ajo që ka ndjerë dhimbjet e lindjes, e ka shumë të thjeshtë çdo punë që i del përpara. Shqipëria i ka ndjerë të gjitha dhimbjet. Por ne gratë socialiste jemi avangarda e shoqërisë shqiptare dhe do jemi në krye, sepse e bëjmë për fëmijët tanë, burrat tanë, gjyshërit tanë
Eglantina Gjermeni
Gruaja është gjysma e shoqërisë shqiptare. Ajo vuan më shumë pasojat e tranzicionit, problemet në aksesin shëndetësore, arsimor, varfërinë, dhunën në familje apo trafikimin e gjakmarrjen. Kur flitet për gjakmarrje, duket sikur kur flasim për pjesëmarrje në politikë, kjo është një luks. Por kemi nevojë të jemi më shumë kudo, edhe në parlament, sepse kështu mund të sjellim një Rilindje shqiptare. Shqipëria po mundohet që të plotësojë 12 kriteret e BE-së. Por mesazhi më i keq që morëm dje nga gjakmarrja na thotë se në këtë 100-vjetor ne jemi pa shtet. Ndaj duam të sjellim një zë ndryshe, zërin e grave, zë i pashfrytëzuar deri tani. Në vendimmarrje nuk është thjesht çështje vendimmarrjeje, por çështje të drejte, që çdo njeri e ka sapo ka lindur në jetë. /M.A./