E Diel, 1 Nëntor 2026

Henri kundër racizmit

29/01/2005  

Sulmuesi i Arsenalit, Tieri Henri, prej kohësh ka marrë përsipër organizimin e një fushate ndërgjegjësimi kundër fenomenit të racizmit në fushat e futbollit. Ai e ka pagëzuar këtë lëvizje anti-raciste me emrin “Ngrihuni dhe Flisni”, e cila mbi të gjitha synon të ndërgjegjësoj gjithë tifozët për nevojën e shkatërrimit të një problemi të tillë nga bota e futbollit. Sulmuesi francez është bërë subjekti kryesor i abuzimit racist, prej trajnerit të përfaqësueses spanjolle Luis Aragones. Ky i fundit, ka përgojuar Henri gjatë një bisede të zhvilluar me sulmuesin, Hoze Antonio Rejes, në një nga seancat stërvitore të skuadrës përfaqësuese spanjolle. “Unë kam vendosur për të reaguar vetëm pas problemeve që kanë ndodhur kohët e fundit, sidomos ai me Aragones apo edhe me klithmat si majmun të dëgjuara gjatë takimit miqësor Spanjë-Angli në muajin nëntor, ka deklaruar Henri. Shumë futbollist të njohur siç është edhe Ronaldinjo kanë mbetur të shokuar prej historive të tilla. Megjithatë duhet të bëjmë patjetër diçka. Ndoshta kjo nuk do të ndryshonte asgjë, por mendoj se po e njëjta gjë do të ndodhte edhe sikur të qëndronim duarkryq. Jam i sigurtë se gjërat mund të ndryshojnë. Në fillim kur dikush më tregoi në lidhje me komentet e Aragones, unë menjëherë mendova se kishim të bënim me ndonjë shaka të zakonshme. Më pas dëgjova dhe pashë gjithçka në ekranet e televizionit kuptova se ai duhet të ndëshkohej më ashpër se sa vendosën autoritetet më të larta për këtë çështje. Ekziston edhe një proverb për një rast të tillë: Unë të fala, por kurrë nuk harroj”. Janë të shumë sipërmarrësit, që interesohen për një fushatë të tillë. Bëhet fjalë për 2 milionë e gjysmë byzylykë me ngjyra bardhezi, të cilat priten që të dalin në shitje për Evropën duke filluar qysh prej datës 6 shkurt. Çmimi i tyre do të vlerësohet me 2 euro, ku të gjitha përfitimet do të shkojnë për bamirësi në mënyrë që të rrisin nivelin e ndërgjegjësimit për t’i thonë stop racizmit. Nga ana tjetër edhe skuadrat përfaqësuese të Holandës, Portugalisë dhe Rusisë do të zhvillojnë takimet e tyre miqësore, duke u veshur me ngjyra bardhezi. Po ashtu nuk do të mungojnë as reklamat në të gjitha vendet e lartpërmendura, në të cilat do të ilustrohen imazhet e francezit Henri dhe brazilianit Ronaldinjo. Përfaqësuesë të tjerë për këto vende në botën e futbollit janë edhe: Klod Makelele, Filip Mekses, Rio Ferdinand, Rud Van Nistelroi, Adriano, Fabio Kanavaro, Roberto Karlos, Karles Pujol, Oto Ado dhe Kristof Metzelder. Ndërkaq presidenti i FIFA-s, Sep Blater, kishte deklaruar qysh prej datës 3 janar, se do ta shpallte Tieri Henri, një ambasador në luftën kundër racizmit në futboll.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›