E Diel, 1 Nëntor 2026

“Udhëtarët e tragetit dinë si është zhdukur Irena Seli”

28/01/2005  Akuza, pas 1 jave, shpresat e vetme pasagjerët e nisur nga Trieste

TIRANË –Zhdukja pa gjurmë e Irena Selit një muaj e gjysmë më parë, ka vetëm një ndryshim me rastin e Erieta Avdylit. Mungesa e një kufome për rastin e dytë të datës 16 dhjetor 2004, është i vetmi ndryshim që shohin mes dy ngjarjeve hetuesit e ngjarjes, në Tiranë dhe Durrës. Zhdukja e Irena Selit, e trajtuar prej një muaji nga mediat dhe nga të afërmit e 39-vjeçares si e ngjashme me fatin e keq të Erieta Avdylit katër vite më parë, është e tillë edhe për Prokurorinë. Hetuesit kanë konfirmime të besueshme për nisjen e të zhdukurës nga porti i Triestes dhe vendosjen e saj në traget, ndërsa asnjë provë nuk ekziston për mbërritjen e saj në Durrës. Në dosje ndodhet konfirmimi i hershëm i policisë shqiptare më 22 dhjetor 2004, sipas të cilit, Irena Seli nuk i ka kaluar kufijtë e vendit me gjeneralitetet e saj të gjendjes civile, ndërsa nuk mendohet se ajo mund të ketë vënë në përdorim gjeneralitete të rreme për t'u larguar jashtë vendit, me anë të ndonjë dokumenti të falsifikuar.

Shpresa e vetme

Fati i keq i Irena Selit nuk është një pistë e konfirmuar nga provat e dosjes. Rrëmbimi i saj me qëllim zhdukje, nuk është konfirmuar nga ndonjë dëshmi e rëndësishme dhe e besueshme e dosjes. Mundësia e përsëritjes së fatit të Erieta Avdylit edhe në rastin e Irena Selit, është një mendim analitik i atyre personave, që kanë marrë përsipër hetimin e një ngjarje të vështirë, të pagjurmë e të paprova, si ajo e 39-vjeçares Irena Seli. Në këto kushte, kur provat dhe dëshmitë e dosjes nuk çojnë asgjëkundi, pasagjerët e tragetit “Venezia” të datës 15 dhjetor të këtij viti, besohet se janë të vetmit dëshmitarë që mund të thonë diçka shpresëdhënëse, për fatin e Irena Selit. Një javë pasi hetimi i dosjes ka filluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, asnjë dëshmi e personave të pyetur, nuk ka hedhur dritë mbi fatin e 39-vjeçares së zhdukur pa gjurmë. Ngjarjes që ndodhi një muaj e gjysmë me parë, ende i mungon një konfirmim i saktë e zyrtar për mbërritjen apo praninë fizike të Irena Selit në portin e Durrësit, pas udhëtimit nga porti italian i Triestes. Atë ditë, 39-vjeçarja Seli udhëtonte me bashkëshortin e saj, Agim Musho, pronar i kompleksit “Bruno” në Tiranë.

Dyshimet

Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë këtyre ditëve ka kryer një numër rekord veprimesh hetimore. Janë marrë në pyetje të gjithë personat që mendohet se kanë patur dijeni për kontradiktat mes Irena Selit dhe bashkëshortit të saj. Kanë dhënë sqarime të afërmit e të dy palëve për gjithçka kanë mësuar se ka ndodhur ditën e zhdukjes. Hetuesit kanë mësuar gjithashtu se, Irena kishte kryer një aplikim shpresëdhënës për azilante në SHBA, por kur mbërritja e saj fizike në Durrës është ende e pakonfirmuar, askush nuk pohon qoftë edhe me dyshim, se 39-vjeçarja mund të jetë larguar nga Shqipëria. Në ndihmë të këtij fakti shkon edhe konfirmimi i policisë se, Irena nuk e ka kaluar kufirin dhe siguria e ofruar nga disa prej shteteve që kanë gjurmët e gishtave të saj, se ajo, gruaja e zhdukur, ende nuk është parë atje. E zhdukura kishte një vizë gjermane dhe një amerikane. Sipas procedurave të zakonshme, por edhe sipas hetimeve të këtyre ditëve, ajo ka depozituar gjurmët e gishtave në dy ambasadat ku ka kërkuar vizë. Nëse, Irena është larguar në njërin prej këtyre vendeve me dokumente false, atëherë gjurmët e gishtave besohet se do ta kishin tradhtuar. Derisa nuk ka ende një konfirmim për ndodhjen e 39-vjeçares diku, hetuesit e “Erietës”, gruas së zhdukur katër vjet më parë dhe të “Irenës”, humbur para një muaji e gjysmë, dyshojnë për fatin e tyre të njëjtë.

Minutat e fundit në traget

Irena Seli ka humbur gjurmët në datën 16 dhjetor 2004. Një ditë më parë, ajo ishte nisur nga Gjermania bashkë me të shoqin e saj, Agim Musho, për të ardhur në Tiranë. Policia italiane dhe agjencia e udhëtimit me tragetin “Venezia”, kanë konfirmuar nisjen e 39-vjeçares nga porti i Triestes për në Durrës, ndërsa edhe pse pasaporta e saj është vulosur në portin shqiptar, askush nuk i ka thënë Prokurorisë dhe familjarëve se e ka parë Irena Selin atë ditë në port apo në traget duke zbritur. Agim Musho, bashkëshorti i të zhdukurës, ka pohuar se gruaja i është zhdukur në kohën kur ka shkuar të vulosë pasaportat. Musho ka kërkuar atë ditë në port e rreth tij, ka lajmëruar familjen e Irenës dhe katër ditë pas ngjarjes ka bërë edhe kallëzim në Komisariatin nr.2 të policisë së Tiranës. Musho e ka pohuar më shumë se një herë se gruaja e tij ka mbërritur atë ditë në port dhe se është zhdukur pa gjurmë më pas, duke shfrytëzuar largimin e pronarit të kompleksit “Bruno”, për të vulosur pasaportat.

Enigma e azilit

Motra e Agim Mushos, Drita, në një intervistë për gazetën “Metropol”, tha se Irena Seli kishte aplikuar për azil politik në SHBA. Sipas Dritës, Irena kishte bërë vitin e shkuar edhe një kallëzim penal në Prokurori, ku ka thënë se e kishin kërcënuar. Një kopje të këtij kallëzimi e ka nisur drejt Amerikës bashkë edhe me disa raporte që vërtetonin dhunën e policisë ndaj saj dhe disa kaseta filmike të efektivave blu, që prishnin kompleksin “Bruno” e që Irena i dërgonte nga Gjermania në SHBA, si ilustrim të dhunës së policisë ndaj saj dhe personave të tjerë të afërt. Të pyetur nga gazeta, zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës, nuk e kanë konfirmuar kallëzimin e Irena Selit, por nuk e kanë hedhur poshtë atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›