Zhduket e mitura, familjarët apel për ndihmë policisë
Që prej së martës një 15-vjeçare është zhdukur dhe familjarët e saj bënë apel për gjetjen e vajzës së tyre, e cila si çdo mëngjes ishte nisur për në shkollë, por që nuk ishte kthyer prej andej. Morena I. është adoleshentja që banon në lagjen Kombinat të Tiranës, e cila pas nisjes për në shkollë nuk u kthye më në shtëpi. Në momentet e largimit 15-vjeçarja ka qenë e veshur me një bluzë në ngjyrë lejla me mëngë të shkurta e pantallona xhins. Familjarët kanë denoncuar edhe në polici, ndërsa kërkojnë ndihmën e dikujt që mund ta njohë ose ta dallojë vajzën nga fotoja, ata i janë drejtuar edhe policisë për të denoncuar zhdukjen.
Kakavijë
Sekuestrohen 10 kg marijuanë, i gjeti policia në rrugë
Forcat e Policisë Kufitare të Kakavijës gjatë patrullimit në aksin rrugor Jurgucat-Kakavijë, në afërsi të Gjirofarmës, në anë të rrugës nacionale kanë konstatuar një çantë të zezë shpine të braktisur, e cila ishte e mbushur me lëndë narkotike. Sipas të dhënave policore, menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe forcat e tjera policore, të cilët kanë konstatuar se në çantë gjendeshin 10 pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e llojit marijuanë, me peshë 1 kilogram secila. Ndërkaq, specialistët po punojnë për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e ngjarjes.
Itali
Droga, arrestohet shqiptari me 19 kg
Plot 19 kilogramë drogë në makinë i janë kapur një emigranti shqiptar i cili prej vitesh punon dhe jeton në shtetin fqinj, Itali. Sipas mediave italiane, ai quhet Ervis Petro, 35-vjeç dhe jeton prej kohësh në Romë. Në vendin e ngjarjes forcat policore konstatuan se droga ishte e ndarë në 18 pako, gati 1 kilogram secila, që të gjitha të fshehura në makinën e tipit BMW X5 që drejtohej në atë moment nga Ervis Petro. Arrestimi i shqiptarit u bë në Ventimiglia të Italisë dhe tani gjendet nën akuzën për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Kokaina e sekuestruar në makinën e tij arrinte një vlerë prej 7.6 milionë euro.
24 Shtator 2009