E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i arreston 4 serbë të akuzuar për krime lufte



Misioni Europian për sundimin e ligjit, EULEX, ka arrestuar ditën e djeshme, katër qytetarë serbë të Kosovës, nën dyshimet se gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, kanë kryer krime lufte mbi shqiptarët. Në një komunikatë për opinion, ky mision thotë se “operacioni është zhvilluar në mëngjes në zonën e Gjilanit”. “Policia e EULEX-it, e mbështetur nga policia e Kosovës dhe KFOR-i, arrestoi 4 serbë të Kosovës, nën dyshimin për krime lufte. Arrestimi i tyre u urdhërua nga një prokuror i EULEX-it, nën autoritetit e të cilit po vazhdon hetimi”,- thuhet në komunikatë.
Agjencitë serbe të lajmeve ndërkaq kanë njoftuar se janë pesë të arrestuar dhe ata janë Svetllana Stojanoviç, Dobrivoje Trajkoviç, Sllobodan dhe Sreçko Martinoviç dhe Srgjan Filliç, që të gjithë nga komuna e Novobërdës. Edhe Policia e Kosovës bën të ditur se janë 6 të arrestuar. Karin Limdal, zëdhënëse e EULEX-it për polici bën të ditur se hetimi po vazhdon nën autoritetin e prokurorit të EULEX-it. Agjencia serbe e lajmeve, Tanjug raporton se aksioni është ndërmarrë në orën 6:30 dhe se në të nuk kanë marrë pjesë policët e Kosovës, por vetëm ata të EULEX-it. I pyetur nga mediat serbe, një i afërm i të arrestuarve është shprehur se EULEX-i i kishte informuar se janë në hetim për krime lufte. Serbët, banorë të fshatit Bostanë, kanë paralajmëruar të mbajnë një protestë të vendasve kundër arrestimeve, ndërsa informacione më të detajuara për aksionin, pritet të jepen në vazhdim.

24 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›