“Minat” do të hetohen nga Krimet e Rënda

05/04/2005 SHKODËR – Dosja e “minave” do t’i kalohet për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo prokurori do të vazhdojë hetimet për të identifikuar dhe persona të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në trafikun e paligjshëm të municioneve. Ndërkohë, burime jozyrtare, bëjnë të ditur se pas “blerjes” lojë të 6 minave me eksploziv C4 të organizuar nga Drejtoria e Komisariatit të Policisë së Qarkut Shkodër, me datë 2 prill, ku ranë në grackë 4 nënshtetas shqiptarë Sandër Gjinaj, në makinën e të cilit u gjetën edhe minat, Mirash Dushku, Altion Saloviç, Rrok Pepaj dhe një nënshtetas malazez, Branko Raiçeviç, po vazhdojnë hetimet nëse ky rrjet kishte lidhje me shitjen e minës që shkaktoi vdekjen e Vajdin Lames. Po të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe i kapuri në Podgoricë nënshtetasi malazez Raiçeviç, kishte qenë banor i fshatit Vrakë të Malësisë së Madhe ashtu si edhe dy nga të kapurit e tjerë. Ka qenë, me sa duket, origjina e tij nga i njëjti fshat me të kapurit që e ka ndihmuar atë të bëjë lidhjen dhe trafikimin e lëndëve eksplozive, duke besuar plotësisht tek ish-bashkëfshatarët e tij. Burimet theksojnë se ky person njihej si një tregtar i thjeshtë, që tregtonte mallra vetëm me makinën e tij, tip Benz, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Kapja e këtij shtetasi e ka vënë në lëvizje edhe policinë e shtetit fqinjë, pasi këto lëndë plasëse kishin ardhur nga ai shtet, por nuk prodhoheshin atje. Prejardhja mendohet se është Serbia dhe është duke u hetuar rreth të gjithë personave malazez si dhe të tregtarëve serb, me të cilët ka tregtuar shtetasi Raiçeviç.