E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga 30 km kanale, janë shtruar vetëm 5.4 km

04/04/2005  Shkodra, qyteti që s’pati kurrë kanalizim të ujërave të bardha

SHKODËR - Ujërat e bardha vazhdojnë të jenë një rrezik për qytetin e Shkodrës, që nuk po merr asnjëherë rrugëzgjidhjen e duhur. Qyteti më i madh i Veriut asnjëherë nuk ka pasur një ndërhyrje të plotë në sistemin e kanaleve të ujërave të bardha, duke bërë që historia e përmbytjeve të qytetit të Shkodrës të përsëritet sa herë që do të ketë reshje.

E kjo histori duket se do të vazhdojë gjatë ritualin e saj.

Qyteti pa kanale ujërash të bardha

Statistikat e Bashkisë Shkodër, të dala nga një studim i hollësishëm i sistemit në fjalë, të bërë nga specialistët shkodranë në bashkëpunim me ata austriakë, flasin se në këtë qytet prej vitesh mungojnë kanalet kryesore të ujërave të bardha. Nga ky studim doli në pah se problemet në kanalizimet e ujërave të bardha kanë nisur dekada më parë, duke filluar që nga viti 1950, vit kur nisën dhe ndërtimet masive pa bërë një studim të domosdoshëm për ndërtimin dhe perspektivën e këtyre kanaleve të ujërave të bardha dhe duke mos u ndërtuar asnjë kanal kryesor për këto ujëra. Përveç kësaj mungese në projektet e ndërtimeve, këta të fundit bënë që të dilnin jashtë funksionimit edhe pjesën më të madhe të kanalizimeve të mëdha të këtyre ujërave, të cilat deri në prag fillimin e ndërtimeve masive, funksiononin në mënyrë perfekte, duke mos ndikuar në asnjë moment në përmbytjen e qytetit. Një fenomen i ngjashëm ndodhi pak a shumë edhe në vitet 1970-1978, kohë kur u vu në zbatim projekti i ndërtimit dhe sistemimit të Ujësjellësit dhe të ujërave të zeza të qytetit dhe nuk u mor anjë hap për ndërtimin e kanale të ujërave të bardha.

Specialistët e asaj kohe e justifikuan këtë mungesë ndërhyrjeje me idenë se zbatimi i një projekti për sistemimin dhe ndërtimin e këtyre kanaleve do të realizohej pasi të ndërtoheshin veprat hidroenergjetike në lumin Drin dhe pasi të bëhej sistemimi i lumit Buna, pasi ato do të sillnin uljen e nivelit të liqenit të Shkodrës. Gjithsesi dhe në atë kohë çdo gjë ngeli në ide, apo në plane, që nuk e panë asnjëherë dritën e realizimit dhe që qytetarët shkodran ia ndjen pasojat pak vite më vonë dhe vazhdojnë dhe aktualisht të mbajnë “në kurriz” pasojat e mungesës së një sistemi të mirëfilltë kanalizimesh të ujërave të bardha.

Pas demokracisë...

Më pas gjatë kohës së ndryshimeve demokratike, pas viteve ‘90–të, filluan të bëheshin ndërtime të pakontrolluara dhe pa kriter, duke rritur së tepërmi problemet, pasi filluan të ziheshin dhe bllokoheshin sistemet e mbetura ekzistuese si dhe kanalet anësore të rrugëve urbane, duke u bërë një nga shkaqet kryesore të përmbytjeve vit pas viti, pas reshjeve të mëdha në këtë qytet. Krijimi i një situate të tillë bëri të domosdoshëm hartimin e një projekti. Kështu që në vitin 1997, specialistët e Bashkisë Shkodër së bashku me ata austriakë nisën hartimin e një projekti të plotë për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha. Sipas këtij projekti, që kap shifrën 10 milionë euro, skema përmban 30 km kanale, ku përfshihen 8 kanale kryesore që do të derdhen në Liqenin e Shkodrës, lumin Buna dhe lumin Kir si dhe një rrjet dytësor. Lidhur me këtë projekt, Bashkia e Shkodrës ka piketuar si në nevojë emergjente 5 zona, që kanë nevojë për ndërtimin e rreth 5.4 km kanal ujërash të bardha, me një investim që kap vlerën e 2 milionë eurove. Por deri tani është arritur të ndërtohet vetëm rreth 1 km kanal kryesor i sistemit të ujërave të bardha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›