E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minat me celular, Krimet e Rënda kërkojnë 37 vjet burg

Prodhimi me qëllim trafikimin e minave me celular
rrezikon t‘u kushtojë plot 37 vjet dhe katër muaj heqje
lirie katër të pandehurve. Prokurori i çështjes i ka kërkuar
dje pasdite Gjykatës së Krimeve të Rënda shpalljen fajtorë
dhe dënimin e të pandehurve. Krimet e Rënda kërkuan
dënimin me 12 vjet heqje lirie për të pandehurin Glerjan
Hyseni, një vit më pak për të pandehurin Shkëlqim Gjoka,
10 vjet burg për Adrian Moçkën, si dhe për të pandehurin
e fundit, Hysen Hyka, 4 vjet e 4 muaj.
Nga hetimet e kryera nga prokuroria, të pandehurit, në
bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë prodhuar mina me
celular, të cilat më pas dyshohet se do të trafikoheshin në
vendin tonë. Nga të dhënat e dosjes së akuzës, të pandehurve
u janë kapur dhe sekuestruar nëntë mina me celular.
Këto sasi lëndësh plasëse është sekuestruar më datë
20 mars 2008 në fshatin Rrushbull të Rrethit Durrës, në
autoservisin, pronë e të pandehurit Glerjan Hyseni, ku dhe
janë arrestuar në flagrancë të pandehurit Glerjan Hyseni,
Shkëlqim Gjoka e Adrian Moçka dhe më pas në Tiranë,
edhe i pandehuri Hysen Hyka. Të pandehurit akuzohen
për veprat penale "trafikim i lëndëve plasëse, djegëse,
helmuese dhe narkotikeve në bashkëpunim", "trafikim
të armëve e municioneve", "prodhim dhe mbajtje pa leje
të armëve dhe municioneve luftarake".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›