Minatorët, Berishës: Statusin, ose do kthejmë Tiranën në Çikago

Tiranë, 8 Shkurt NOA/ Blerina Ahmetaj - Saga e
minatorëve duket se nuk ka mbaruar ndonëse ligji për moshën e pensionit për këtë
kategori tashmë ka marrë miratimin e qeverisë e kuvendit.
Përfaqësuesit e sindikatës së minatorëve
vazhdojnë të këmbëngulin për miratimin e statusit të minatorit i cili do të zgjidhte
përfundimisht kërkesat ekonomike të punonjësve të nëntokës për pension deri në
moshën 50 vjeç me 10 vite pune, me një shumë prej 20 mijë lekë të reja.
Nga bisedimet që kemi bërë menjëherë pas
ardhjes në detyrë të Dritan Priftit, si ministër i Energjetikës, na është thënë
se kërkesa jonë për statusin është e drejtë por për miratimin e tij duhet
ngritur një grup pune ndërministror me qëllim diskutimin e draftit që kemi
hartuar. Kompetencat për këtë i ka vetëm kryeministri Berisha. Ndaj ne e kemi
pasur të qartë në protestat tona kur i kemi kërkuar Berishës që të na dëgjojë për
kërkesat tona, thotë kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, duke
folur me agjencinë NOA.
Minatorët kanë kërkuar në këto dy vitet e
fundit tryezë bisedimi me qeverinë për statusin e minatorit.
Por ata thonë se përveç premtimeve asnjë hap
nuk është bërë në këtë drejtim.
Xibri thotë se e vetmja shpresë mbetet
firmosja nga kryeministri i draftit të kërkesave për statusin.
Gjatë takimit me ministrin e Shtetit, Genc
Pollo, na u tha se do të kishim një përgjigje nga kryeministri por ne na është
mbyllur dera prej tij. Ne presim të mbledhim nesër Këshillin Kombëtar të
Sindikatës dhe paraprakisht kemi vendosur që ti kërkojmë kryeministrit Berisha
të firmosë direkt statusin e minatorit, pasi smund të presim asnjë afat kohor
në lidhje me këtë çështje, thotë Xibri.
Minatorët janë të përgatitur dhe për refuzimin
e kësaj kërkese nga kryeministri. Ata deklarojnë se në një rast të tillë do të
ekstremizojnë protestat duke aluduar për kthimin e Tiranës në një Çikago
brenda Evropës moderne, referuar trazirave sindikale të kohëve më parë në SHBA.
b.a/e.r/NOA