E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti u heq OJF-ve administrimin e qendrave për viktimat e trafikut

Tiranë, 8 Shkurt NOA/ Blerina Ahmetaj - Përkujdesja
ndaj viktimave të trafikut së shpejti do të mbikëqyret nga shteti dhe jo nga
shoqëria civile e cila deri më sot ka arritur ta kryejë këtë përmes donacioneve
të ndryshme.

Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) konfirmoi
sot se shteti do të marrë përsipër mbështetjen si në planin financiar ashtu dhe
atë administrativ.

Ky Shërbim ka propozuar ngritjen e njësive
mbikëqyrëse të administrimit të shërbimeve për këtë kategori në nevojë, të
cilat do të kryejnë aktivitetin e tyre pranë katër IPSH-ve, në Tiranë, Vlorë,
Elbasan dhe Gjirokastër.

Sipas propozimeve të bëra nga SHSSH për këto
probleme, viktimat e trafikimit do të jenë përfituese të Ndihmës Ekonomike,
pasi ato të dalin nga qendrat rezidenciale të shërbimeve të përkujdesit social.

Kostoja financiare për përfshirjen në
programin e ndihmës ekonomike për rreth 105 persona viktima të trafikut është
rreth 3.3 milionë lekë.

Për të krijuar një mbështetje administrative
shtetërore sa më të konsoliduar, sipas propozimeve, është parashikuar krijimi i
njësisë për mbikëqyrjen e administrimit të Qendrave të trajtimit të viktimave
të trafikut.

Shpenzimet për pagat dhe kontributet për
sigurimet shoqërore të punonjësve do të përballohen nga fondet e buxhetit të
shtetit, të akorduara për SHSSH.

Njësitë do të mbikëqyrin zbatimin e
legjislacionit në fuqi, mënyrën e administrimit dhe menaxhimit të fondeve të
dhëna nga buxheti qendror, si dhe do të raportojnë periodikisht për
administrimin e qendrave.

Efektet financiare që rrjedhin nga ky
projektligj do të përfshihen në fondet e programuara në projektbuxhetin
afatmesëm 2010-2012.

Qendrat e shërbimeve për viktimat e trafikut janë
krijuar dhe funksionojnë aktualisht si organizata jofitimprurëse.

Shumë herë, OJF-të (Organizatat jofitimprurëse)
vendase dhe të huaja janë akuzuar për abuzim me fondet dhe pastrim parash kurse
pakkush ka informacion për mënyrën e përftimit të fondeve hyrje-daljeve dhe
destinacioneve të tyre.

b.a/e.r/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›