Berisha premton rritje të re pagash për arsimtarët
Elbasan, 8 Shkurt NOA Mësuesit e mbarë
Shqipërisë gjatë këtyre katër viteve do të jenë në epiqendër të reformës së
arsimit. Premtimin e bëri kryeministri Sali Berisha pasi mori pjesë sot në
ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9 - vjeçare Qamil Guranjaku, në qytetin
e Elbasanit.
Ky është një investim me vlerë 61 milionë
lekë, ndërsa pajisjet e saj kanë kushtuar rreth 20 milionë lekë.
Në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha shoqërohej
nga ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, ministri i Brendshëm Lulzim Basha,
deputetë të qarkut të Elbasanit, etj.
Pas ceremonisë së inaugurimit, Berisha u takua
me stafin pedagogjik të kësaj shkolle, të cilët i garantoi se edhe gjatë këtyre
katër viteve arsimtarët do të jenë në epiqendër të reformës së arsimit.
Ne e marrim arsimin si çështjen më serioze,
sepse për një komb nuk ka asgjë më serioze se arsimi, - tha Berisha.
Kurse theksoi se trajtimi i mësuesve, pagat
dhe trajnimi i tyre përbëjnë shtyllën më kryesore të reformës në arsim.
Berisha shprehu bindjen se gara e dijes do të
mbetet ende promotori kryesor i ecjes sonë me shpejtësi drejt të ardhmes evropiane.
Sot ne kemi 135 mijë studentë në
universitete, prej të cilëve 120 mijë në universitetet publike dhe 15 mijë
studentë në universitetet private, por duhet të shkojmë tek 150 mijë studentë,
u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Berisha theksoi se duhet të rendet
edhe pas cilësisë në arsim. Duhet të rendim pas cilësisë në përgatitjet e
mësuesve, në kualifikimin e vazhdueshëm të tyre dhe për cilësinë në kërkimin
shkencor në universitete.
Berisha vërejti se në universitete mbetet
problem serioz numri i pedagogëve për studentë: Duhet të rritet numri i
pedagogëve dhe duhet ta sjellim atë në nivelin e grupit të vendeve të
zhvilluara. Gjithashtu, është ulur dhe do të vazhdojë të ulet edhe numri i
nxënësve për mësues, u shpreh Kryeministri.
f.sh/NOA