Pas KLD, Kushtetuesja rrëzon Alibeajn
Fatos Mahmutaj
Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin e iniciuar nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, për “pushtetin gjyqësor”. Vendimi i shpallur dje bën fjalë për kompetencën e kancelarëve të gjykatave për të emëruar dhe shkarkuar sekretaret dhe administratën gjyqësore. Vendimi është shpallur pas ankesës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, të cilët kundërshtuan ligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili më pas u miratua në Qeveri. Gjykata Kushtetuese, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve vendosi: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të shprehjes në nenin 38, shkronja ‘a’ të ligjit numër 9877, pika ‘a’, ku thuhet se kancelari emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës”. Më tej, “Kushtetuesja është shprehur se rrëzon kërkesën e dytë të Shoqatës së Gjyqtarëve, lidhur me pretendimin për jokushtetutshmërinë e shprehjes në nenin 38, shkronja ‘b’ të ligjit numër 9877, pika ‘b’, ku thuhet se kancelari mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar”. Po kështu, Gjykata Kushtetuese pohoi dje se refuzonte të shqyrtonte kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve lidhur me pretendimin për jokushtetutshmërinë e shprehjes në nenin 37, pika 2, të të njëjtit ligj ku thuhet: “Kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë”. Kërkesa në Kushtetuese për shfuqizimin e disa pikave të ligjit për gjyqësorin u paraqit nga SHKGJSH disa muaj më parë.
Qëndrimi i KLD
Palë në këtë proces ishte Këshilli i Lartë i Drejtësisë, institucion i cili kishte interesa të njëjta me kërkuesit, si dhe Qeveria dhe Kuvendi, të cilët kërkuan rrëzimin e kërkesës së Shoqatës së Gjyqtarëve. Nga ana tjetër, SHKGJSH pretendoi se Kushtetuta i jep gjyqësorit një pozitë autonome, të ndarë, por dhe të balancuar nga dy pushtetet e tjera, ligjvënësit dhe ekzekutivit. Sipas tyre, ligji i miratuar në shkurt të 2008-ës ekspozon gjyqësorin ndaj presioneve politike apo nga pushteti ekzekutiv. Më tej, SHKGJSH pohon se ligji cenon pavarësinë organizative, funksionale dhe financiare të gjyqësorit. “Menaxhimi i administrimit të shërbimeve të gjyqësorit nga ekzekutivi e bën të vështirë koordinimin e shërbimeve të nevojshme për publikun nga gjyqësori, pasi nga ky proces janë përjashtuar kryetarët e gjykatave apo KLD. Nenet e kundërshtuara, në dallim nga këto rregullime ligjore për organet kushtetuese të pavarura, cenojnë autonominë e gjyqësorit”, pohon SHKGJSH. Nenet e kundërshtuara bien ndesh me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, me paktet e OKB-së, me parimet bazë për Pavarësinë e Gjyqësorit miratuar nga Asambleja e OKB-së, me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Kartën Universale të Gjyqtarit etj. Ndërkohë Kuvendi dhe Qeveria si subjekte të interesuara kërkuan rrëzimin e kërkesës në gjykatë, duke pretenduar se në Kushtetutë del qartë se epiteti që i atashohet pushtetit gjyqësor nuk është pavarësia, por ndarja dhe balancimi me atë legjislativ dhe ekzekutiv. Në këtë mënyrë, sipas tyre, nuk mund të shihet gjyqësori i pavarur pa asnjë lidhje nga institucionet e tjera që, sipas rastit, ushtrojnë funksione të tjera ligjvënëse ose ekzekutuese. Sipas tyre, termi “pavarësi” i referohet gjyqtarit ose trupit gjykues, në një çështje konkrete, kur gjyqtari jep vendimin, pra ushtron funksionin e dhënies së drejtësisë. Më tej Kuvendi dhe Qeveria pohojnë se sekretaria gjyqësore ka në funksion dokumentimin e procesit gjyqësor, të cilin e kryen në mënyrë të pavarur dhe të painfluencuar nga palët, nga trupi gjykues, nga publiku, nga kryetari i gjykatës, nga kancelari i gjykatës apo kushdo tjetër. Në fund, Kuvendi dhe Qeveria pohojnë se procedurat e organizimit të shpërndarjes së çështjeve me short tek gjyqtarët konkretë do të rregullohen, sipas ligjit, me vendim nga KLD-ja, e cila konsiderohet si organi që realizon vetëqeverisjen e gjyqësorit.
Argumentet e KLD
Pavarësia e gjyqësorit cenohet edhe vetëm duke njohur me ligj mundësinë për ndërhyrje në veprimtarinë e organeve gjyqësore.
Është vendosur një lidhje direkte mes administratës gjyqësore dhe pushtetit ekzekutiv, pasi kancelari i gjykatës ka varësi direkte nga Ministria e Drejtësisë.
Pavarësia e gjyqtarëve perceptohet si pavarësi e gjykatave dhe këtu administrata ka një rol vendimtar, pa të cilin nuk mund të ushtrohet veprimtaria gjyqësore.
Dispozitat e animuara në Kushtetuese përjashtojnë kryetarin e gjykatës nga rekrutimi dhe largimi i stafit administrativ dhe nga mbikëqyrja e procedurave të ndarjes së çështjeve me short.
Pozicioni i ri që kancelari dhe administrata gjyqësore kanë marrë është në kundërshtim me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, pasi administrata gjyqësore, në kuadrin e shërbimeve të saj ndaj publikut, ofron disa shërbime si dhënie informacioni apo aktesh, dhe veprimtaria e saj bazë zhvillohet brenda procesit gjyqësor apo e lidhur me të.
Pavarësia funksionale e gjyqësorit humbet kur procesi i ndarjes së çështjeve gjyqësore me short i besohet totalisht administratës. Kjo do të thotë se klasifikimi dhe vlerësimi i mundshëm i konflikteve, sipas dhomave të gjykimit apo seksioneve brenda dhomës civile, do të bëhet prej administratës.
Karta Europiane për Statusin e Gjyqtarit e Këshillit të Europës përcakton se shteti ka detyrimin për t’iu siguruar gjyqtarëve të gjitha mjetet e nevojshme për realizimin e detyrave të tyre, në veçanti lidhur me çështjet gjyqësore dhe brenda një kohe të arsyeshme.
Shoqata e Gjyqtarëve
Nenet 37, pika 2 dhe 38, shkronja “a” dhe “b” të ligjit të gjyqësorit cenojnë parimet kushtetuese të parashikuara nga nenet 4, pika 2; 7 dhe 145, pika 1 dhe 3 të Kushtetutës.
Kushtetuta ka si qëllim t’i japë pushtetit gjyqësor një vend autonom, të ndarë, por dhe të balancuar nga dy pushtetet e tjera.
Ligji ekspozon pushtetin gjyqësor ndaj presioneve politike apo nga pushteti ekzekutiv.
Nuk përcaktohen saktë mekanizmat dhe procedurat për zgjedhjen, emërimin dhe sidomos shkarkimin jo vetëm të gjyqtarëve, por edhe të drejtuesve të tjerë administrativë (kancelarit), apo të personelit administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës.
Menaxhimi i administrimit të shërbimeve të gjyqësorit nga ekzekutivi me anë të ministrit të Drejtësisë e bën të vështirë koordinimin e shërbimeve të nevojshme për publikun, pasi nga ky proces janë përjashtuar kryetarët e gjykatave apo KLD.
Për të gjitha organet kushtetuese të pavarura, ligjet organike të tyre kanë siguruar një autonomi organizative, funksionale dhe financiare, si kritere të domosdoshme për kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese dhe ligjore. Nenet e kundërshtuara të ligjit të gjyqësorit cenojnë autonominë e pushtetit gjyqësor.
Nenet e kundërshtuara bien ndesh me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, me paktet e OKB-së, me parimet bazë për pavarësinë e gjyqësorit, miratuar nga Asambleja e OKB-së, me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, me Kartën Universale të Gjyqtarit etj.
Ligji i gjyqësorit
Neni 37
2. Kancelari emërohet dhe shkarkohet nga Ministri i Drejtësisë.
Neni 38
Kancelari i gjykatës ka këto kompetenca kryesore:
a) emëron dhe shkarkon personelin e sekretarisë gjyqësore dhe personelin administrativo-teknik të shërbimeve të gjykatës;
b) mbikëqyr procesin e organizimit dhe të dokumentimit të ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit, si dhe nënshkruan përcjelljen e praktikës së çështjes gjyqësore te gjyqtari i caktuar.
Në gjykatë
Qeveria: Ligji të lihet në fuqi siç është
Tirane - Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi, si subjekte të interesuara, pohuan në Gjykatën Kushtetuese se kërkesa e SHKGJSH për shfuqizimin e katër pikave të ligjit të gjyqësorit duhej të rrëzohej, pasi nuk gjente mbështetje ligjore. Sipas tyre, ligji i kontestuar nuk cenonte pavarësinë e gjyqësorit, ndërkohë që nuk mund të shihet pushteti gjyqësor i pavarur pa asnjë lidhje nga institucionet e tjera që, sipas rastit, ushtrojnë funksione të tjera ligjvënëse ose ekzekutuese. Sipas tyre, nga analiza krahasimore e ligjit të kundërshtuar nga SHKGJSH rezulton vetëm një situatë juridike e ndryshuar, emërimi dhe shkarkimi i sekretarisë gjyqësore. Kështu, procedura e emërimit apo shkarkimit të kancelarit dhe të një pjese të administratës gjyqësore ka përftuar natyrën e sigurt juridike për shkak të zbatimit të pandërprerë dhe të zgjatur në kohë dhe pretendimet për shfuqizimin e tyre nuk mund të mbrohen në një gjykim kushtetues. Më tej, Kuvendi dhe Qeveria pretendojnë se procedurat e organizimit të shpërndarjes së çështjeve me short tek gjyqtarët konkretë do të rregullohen sipas ligjit, me vendim nga KLD-ja, e cila konsiderohet si organi që realizon vetëqeverisjen e gjyqësorit. f.m.