Raporti i Fondacionit Vodafone Albania
Dje Fondacioni Vodafone Albania ka prezantuar Raportin e Parë Vjetor për vitin 2008/09. Me fondet e siguruara nga Vodafone Albania Sh.A. dhe Vodafone Foundation në Mbretërinë e Bashkuar, Fondacioni zhvilloi tre thirrje për aplikime për palët e interesuara të shoqërisë civile, identifikoi dhe financoi një numër prej 20 projektesh cilësore në përgjigje të prioriteteve të komuniteteve në nevojë, duke realizuar impakte të rëndësishme për fushën e Edukimit, Shëndetësisë, Mjedisit dhe Mirëqenies Sociale. Efekt i zbatimit të këtyre projekteve është dhe zgjerimi i hartës së investimeve, përfshirë Kukësin, Shkodrën, Lezhën, Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Vlorë, Gjirokastër dhe rrethe të tjera. Programi i këtij viti është karakterizuar gjithashtu nga një shkallë e gjerë përfituesish nëpërmjet projekteve të financuara, përfshirë mbështetjen për fëmijë pa mundësi për t’u shkolluar, persona me aftësi të kufizuara etj. Eshtë për t’u theksuar se Fondacioni është një nga institucionet e para që ka reaguar me një përgjigje dhe përkushtim të menjëhershëm për të ndihmuar popullsinë e prekur nga fatkeqësitë, duke përfshirë paketa ndihme të dhuruara përmes Kryqit të Kuq Shqiptar për 880 familjet në Gërdec, si dhe investimi më i madh i vitit, rindërtimi i shkollës fillore në Gërdec – në sajë të të cilit 125 fëmijët e Gërdecit tashmë kanë një shkollë sipas standardeve bashkëkohore. “Të qenurit i përgjegjshëm është pjesë e ADN-së së biznesit tonë. Fondacioni përfaqëson një motor të fuqishëm të përgjegjshmërisë së biznesit në zbatimin e politikës së investimit social, që siguron efikasitet dhe qëndrueshmëri. Sot shohim mbi atë çka mundëm të realizojmë në një vit, e kjo na bën të ndihemi mirë, por në të njëjtën kohë na nxit për angazhime akoma më sfiduese për të ardhmen”, tha Haris Broumidis, Drejtor i Përgjithshëm i Vodafone Albania Sh.A.