E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gripi i derrave ka hyrë në Shqipëri, por s’është zbuluar”

 

zirina llambro

Shqipëria tashmë mund të jetë prekur nga gripi i derrave. Në këtë konkluzion kanë arritur specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Gjasat janë shumë të mëdha, sepse thuajse i gjithë rajoni ka konfirmuar praninë e virusit. Por ndryshe nga këto vende, tek ne ai mund të ketë hyrë tangjent pa u vënë re. Për fat të mirë, sipas specialistëve, ndonjë formë e lehtë e tij. “Ndonjë person mund të ketë qenë prekur nga ky grip, ndërkohë që në tetor dhe nëntor do të kemi raste të tjera të këtij virusi”, u shpreh dje specialistja e ISHP-së, Silva Bino. Sipas saj, çdo njeri që ka temperaturë e kollë duhet të paraqitet nëpër qendra shëndetësore dhe spitale, pasi konsiderohet rast i dyshuar. Ndonëse stina e verës pritej të frenonte përhapjen e gripit të derrave, rastet që shtohen çdo ditë konfirmojnë të kundërtën. “ I bëjmë thirrje qytetarëve të ndërgjegjësohen dhe të mos neglizhojnë asnjë shenjë, qoftë dhe të një sëmundjeje të rrugëve të frymëmarrjes, sidomos personat që janë të prirur të shfaqin simptoma më të rënda”, tha Bino. Ajo shtoi se nga personat me shenja të ngjashme me gripin e derrave që janë raportuar deri tani pranë ISHP-së, kanë rezultuar negativë ndaj gripit të derrave. “Nga të gjithë personat që janë identifikuar me shenja të tilla, si temperaturë apo kollë, analizat laboratorike na kanë treguar se nuk kemi pasur të bëjmë me të prekur nga virusi A-H1N1”, u shpreh Bino. Ndërkaq ditët e fundit ka nisur edhe trajnimi i mjekëve të familjes, pasi ata janë të parët që do ta konstatojnë. Mjekët  rekomandojnë që të gjithë qytetarët të bëjnë vaksinën e gripit të thjeshtë në kohën e duhur. Në periudhën tetor–nëntor, Shqipëria do të jetë padiskutim brenda hartës së vendeve të prekura nga  gripi i derrave. Sa i përket kontrolleve në aeroporte dhe pika kufitare, vetë udhëtarët dëshmojnë se ato janë krejtësisht të përcipta. Në Rinas mungon pajisja me rreze infra të kuqe, e cila identifikon personat e infektuar. Përpos kësaj pjesa më e madhe e pasagjerëve kalojnë pa u pyetur aspak nga personeli i bluzave të bardha. Sa i përket medikamenteve trajtuese, Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se disponon rreth 3000 doza tamiflu (antiviral). “Në rast se do të kemi nevojë dhe do të prekemi nga virusi i gripit të derrave, do të porositen sasi të tjera, të cilat mund t’i sigurojmë brenda 24 orëve”, sqarojnë burime nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tyre janë orientuar të gjitha drejtoritë e shëndetit publik në rrethe si dhe spitalet për të qenë sa me vigjilentë, pasi futja e vendit tonë në listën e vendeve me grip derrash në mos çështje ditësh mbetet çështje javësh. “Me situatën e krijuar është e pashmangshme futja e virusit, por nuk ka vend për panik. Me trajtimin e duhur edhe në shtetet fqinje pjesa më e madhe e pacientëve janë shëruar plotësisht dhe nuk kanë komplikacione”, pohojnë burime nga Ministria e Shëndetësisë.

“Të rrezikuar, por s’ka vend për panik”
Ivanaj: Nuk do kufizohet lëvizja e emigrantëve

Ndonëse gripi i derrave ka prekur gjithë rajonin, nuk do të pengohet lëvizja e lirë e emigrantëve dhe turistëve. Sipas  zv.ministrit të Shëndetësisë, Arben Ivanaj, Shqipëria rrezikon sa të gjitha vendet e tjera të preket nga virusi, por situata nuk është alarmante. “Por ne nuk mund të vendosim masa ndaluese qoftë për emigrantët që kthehen, qoftë për turistët e huaj. Këtë gjë nuk e ka bërë asnjë vend tjetër”, tha Ivanaj. Sipas tij, janë marrë të gjitha masat, ndërkohë që vigjilenca në pikat kufitare të shteteve fqinje bën që udhëtarët që hyjnë në Shqipëri, të jenë të kontrolluar edhe nga autoritetet e këtyre shteteve. Në këtë mënyrë zvogëlohet mundësia e transmetimit të virusit. “Shqipëria rrezikohet si në të gjitha vendet e tjera. Për momentin nuk kemi raste, nuk kemi kapur raste të pranisë së virusit në territorin tonë, sistemi jonë çdo ditë vigjilon, ne e peëdorim këtë fjalë mbi mundësinë ose mbi praninë e këtij virusi në vendin tonë”, tha  Ivanaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›