Tenderët në Ministrinë e Punës, Gjini kërkon gjykim të shkurtuar
• TIRANE – Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në procesin në ngarkim të ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punës, Spartak Gjini, ish-vartësit të tij LlambiTarka dhe biznesmenit Fiqiri Pali. Tre të pandehurit të akuzuar për korrupsion pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike në bashkëpunim, pranuan dje aktet në dosjen që kishte depozituar Prokuroria për të vendosur nëse ishin apo jo fajtorë. Kjo kërkesë e tyre u vlerësua nga gjykata në kuadër të ekonomisë gjyqësore, ndërsa seancën tjetër që pritet të jetë pas një jave, organi i akuzës do të paraqesë konkluzionet përfundimtare. Dy zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe biznesmeni Pali u prangosën në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, pasi një biznesmen, firma e të cilit ishte skualifikuar nga tenderi për rikonstruksionin e fasadës së ministrisë i denoncoi në Prokurori. Më pas ata u përgjuan, ku gjatë bisedave telefonike që kanë pasur mes tyre kanë pohuar se kanë kryer abuzime duke përfituar 10% të tenderit 39 milionë lekësh. fa.ma.