“Nëna e Elsa Lilës, rihapni dosjen”
• Ekstradimi nga Italia i të dënuarit për vrasjen e nënës së këngëtares së njohur Elsa Lila, nuk është i mjaftueshëm për prindërit e viktimës.Qemal Biraku / VLOREAta dyshojnë se Albenc Ago nuk ka qenë i vetëm më 23 maj 1997 kur masakroi dhe më pas vrau Eva Vishajn (Lila) në kilometrin e 29-të të rrugës Tiranë-Elbasan. Tri ditë më parë, Interpol Tirana ka marrë në dorëzim në aeroportin e Rinasit Albenc Agon, pas arrestimit të tij nga policia italiane në Padova. Ai është ekstraduar tri ditë më parë dhe prej ditës së djeshme, ka filluar vuajtjen e dënimit me 20 vjet burg të dhënë në mungesë nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e nënës së Elsa Lilës. Pas ekstradimit të personit të dënuar, prindërit e viktimës thonë se, çështja nuk duhet të mbyllet me kaq, pasi hetimi dhe gjykimi për Albenc Agon nuk tregoi motivin e vrasjes. Sipas prindërve të Eva Vishajt, gjykata në vendimin e saj nuk është shprehur për shkakun e vrasjes së vajzës së tyre, ndërsa ata shprehin dyshime se Albenc Ago nuk ka qenë i vetëm kur ka masakruar dhe më pas ka vrarë nënën e këngëtares së njohur shqiptare, Elsa Lila. Babai i Eva Vishajt, Shabani, tha dje se, prej 11 vitesh ka kërkuar drejtësi për vrasjen e vajzës së tij. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai i kërkoi drejtësisë ta hetojë më tej këtë çështje për ta zbardhur ngjarjen plotësisht. Çfarë i kërkoni drejtësisë shqiptare pas kapjes së personit, të dënuar për vrasjen e vajzës suaj para 11 vitesh?Ne kemi kërkuar drejtësi dhe kapjen e personit që na ka vrarë vajzën. Kemi kërkuar gjetjen e arsyeve që shkaktuan vrasjen e vajzës. Tashmë kërkojmë vazhdimin e hetimeve për gjetjen e bashkëpunëtorëve të vrasësit, sepse ai nuk ka qenë vetëm kur e ka torturuar vajzën e më pas e ka vrarë. Ne falënderojmë drejtësinë shqiptare, policinë, si dhe Interpolin shqiptar dhe italian, të cilët bënë të mundur kapjen e vrasësit të vajzës sonë. I falënderojmë sepse në një farë mënyre na lehtësuan dhimbjen sado pak.Si mendoni, përse ka ndodhur që për 11 vite nuk është gjetur vrasësi i vajzës suaj?Për rreth 6 vite dosja ishte zhdukur, por me përpjekjet tona dosja u rihap përsëri. Falë rihapjes së dosjes nga Prokuroria dhe gjykata dhe punës maksimale të tyre, u arrit dënimi i vrasësit dhe kapja e tij jashtë shtetit, si dhe sjellja e tij në Shqipëri. Tani ne kërkojmë vazhdimin e hetimeve sepse kemi dyshimet tona se, personi që ka vrarë vajzën tonë nuk ka qenë vetëm në atë moment, duhet të vihen para drejtësisë dhe ata që kanë qenë bashkëpunëtorët e tij. Kemi besim se drejtësia do të vazhdojë punën, ashtu si dhe ka vazhduar deri tani dhe do të gjejë bashkëpunëtorët e tjerë të vrasësit.Si u vra me një plumb në sy Eva VishajTIRANE – Pasditen e 23 majit 1997 Eva Vishaj ka qenë në një kurs aerobie kur Albenc Ago ka mbërritur aty me një makinë dhe i ka kërkuar viktimës ta shoqëronte. I dënuari me 20 vjet burg për vrasjen, ka marrë viktimën me vete me një automjet dhe është nisur nga Tirana drejt Elbasanit, duke kaluar nga Liceu Artistik ku ndodheshin dy dëshmitarë të ngjarjes. Ata treguan se gjatë lëvizjes me makinë, Albenc Ago dukej se ishte duke replikuar ashpër me Eva Vishajn. Gjatë lëvizjes me makinë mësohet se ka ndodhur edhe vrasja me një plumb të vetëm në syrin e djathtë. Viktima më pas është hedhur në anë të rrugës në kilometrin e 29-të të aksit rrugor Tiranë-Elbasan. Ka qenë një shofer furgoni, dëshmitar i ngjarjes ai që ka gjetur trupin e pajetë dhe më pas e ka transportuar në spital. Përgjatë shtatë viteve, deri në dhjetor 2004 dosja mbeti “pa autor”. Në këtë kohë një letër e familjarëve dërguar në Prokurori shkaktoi edhe rihapjen e hetimeve.