Minatorët e Bulqizës në ditën e 15-të të grevës së urisë

Greva e urisë së minatorëve të Bulqizës ka hyrë sot në ditën e 15-të të saj, ndërkohë që gjendja e 13 minatorëve që ndodhen 1400 metra nëntokë po rëndohet nga dita në ditë.
Përveç gjëndjes së rënduar shëndetësore minatorët po përballen edhe me rrezikun e shembjes së armaturave, kjo për shkak të mosfunksionimit të minierës prej shumë ditësh.
Ditën e djeshme tre prej miniatorëve u janë vendosur sorume brenda galerisë pasi ata refuzuan të lënë grevën e urisë pas përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore.
Ndërkohë po dje Kreu i Sindikatave, Taf Koleci deklaroi për “Ora News”, se minatorët e Bulqizës, do të ngrenë një tjetër padi civile ndaj administratorit të “ACR”, Giga Bedineishvilli.
Edhe pse gjendja shëndetësore e 13 minatorëve të Bulqizës paraqitet e rëndë pas 15 ditësh në grevë urie ata shprehen të vendosur për ta vijuar grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.