E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefoni-bombë, skaner antenave në Vlorë

21/09/2011  Prokuroria kërkon nga 4 kompani të verifikojnë nëpërmjet valëve të antenave telefonatat e bëra në orën 09:05

Shpresohet identifikimi i numrit që aktivizoi 500 gr tritol të vënë në makinën e gjyqtarit Konomi

TIRANE-Zbulimi i autorëve të vrasjes së gjyqtarit të Vlorës Skerdilajd Konomi, vazhdon të mbetet mister për grupin hetimor të Krimeve të Rënda. Prej 13 ditësh, Prokuroria ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore me qëllim rënien në gjurmë të personave që kanë kryer vrasjen e 33-vjeçarit Konomi dhe zbulimin e motiveve që çuan në këtë krim të rëndë. Njëri prej veprimeve i marrë së fundi nga hetuesit e krimeve të rënda është lokalizimi i personit që ka kryer aktivizimin e telefonit bombë, nëpërmjet valëve të antenave celulare në Vlorë dhe jo vetëm. Nëpërmjet një shkrese, mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar kompanive celulare të verifikojnë numrat telefonike që kanë bërë thirrje pikërisht në orën 09:05 të paradites së të premtes, moment ky kur dhe shpërtheu automjeti tip Benz 250 në të cilin ishte duke udhëtuar gjyqtari i Vlorës Skerdilajd Konomi. Në shkresën e Prokurorisë bëhet një orientim, ku deklarohet se të verifikohen të gjitha telefonatat që janë bërë pikërisht në orën 09:05, dhe që kanë si drejtim zonën qendrore të qytetit të Vlorës. Nëpërmjet këtij mekanizmi anëtarët e grupit hetimor që është ngritur për zbardhjen e kësaj çështje, shpresojnë të bien në gjurmët e atentatorëve, të cilët me sa duket janë kujdesur me shumë profesionalizëm për të mos lënë asnjë provë në vendin e ngjarjes. Burimet tregojnë se nga kjo metodë janë zbardhur disa çështje kriminale, por ato shtojnë se edhe në rast se do lokalizohet numri dhe vendi nga është bërë thirrja, sërish do ketë paqartësi mbi identitetin e personit që ka aktivizuar telefonin bombë. Pikërisht për këtë, ekspertët ia vënë theksin problematikës së tërheqjes së numrave nga kompanitë celulare, ku shumë persona mundin të blejnë dhjetëra numra celularë, duke i regjistruar ato me një emër të vetëm. Në të tilla raste, më së tepërmi janë tregtarët ambulatorë, të cilët më pas i tregtojnë numrat duke i shitur tek persona të ndryshëm. Pavarësisht se Prokuroria ende nuk ka marrë një përgjigje nga kompanitë telefonike, mbi lokalizimin e numrit nëpërmjet valëve të antenave, duke se metoda e numrave të regjistruar me emra të rremë mund të futë në rrugë qore hetimin e vrasjes së gjyqtarit Konomi. Momentalisht hetimet rreth kësaj çështje janë fokusuar në dy drejtime kryesore ku po verifikohet pista e vrasjes për shkak të detyrës dhe pista e interesave ekonomike për pronat që gjyqtari Skerdilajd Konomi kishte në gjirin e Lalëzit si trashëgimi nga gjyshja e tij. Hetues të Prokurorisë dhe policisë janë mobilizuar maksimalisht për zbardhjen e kësaj çështje, por për shkak të dinamikës tepër të sofistikuar të këtij krimi, grupi i hetimit ende nuk ka arritur të drejtojë gishtin në ndonjë person të dyshuar si autor i vrasjes së Skerdilajd Konomit. Gjatë kësaj kohe është arritur të administrohen në dosjen penale rreth 70 dëshmi të personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe atyre që kanë pasur dijeni rreth konflikteve të mundshme të gjyqtarit 33-vjeçar Skerdilajd Konomi. Këto dëshmi i janë nënshtruar analizave të vazhdueshme mes grupit të ekspertëve të policisë dhe Prokurorisë që po punojnë me qëllim zbardhjen e motivit të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të krimit. Vëmendje po i kushtohet dhe informacioneve operative të servirura nga agjentët e policisë dhe SHISH për disa persona që njihen si kontingjentë kriminalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›