E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtarit, rokadë në krerët e Policisë së Vlorës

21/09/2011  Ndërrohet Drejtori i Policisë, nëndrejtori dhe Shefi i Komisariatit të bluve të Vlorës

Emërimet e reja u firmosën nga Nishani. Burgaj: Ndikoi ngjarja

VLORË- Kur po mbushen 2 javë nga vrasja në mënyrë demonstrative në qendër të qytetit të Vlorës e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës ka pësuar ndryshime thelbësore që nisin nga krerët e saj. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka firmosur një sërë shkresash për lëvizje e ndryshime të emrave të posteve kryesore drejtuese të kësaj policie. Ndryshimet dhe rokada e emrave në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë preku gjithë sistemin drejtues të bluve të qytetit bregdetar. Nga dita e djeshme në postin e Drejtorit të Policisë së Qarkut të Vlorës do të ulet Nazmi Kotarja. Ai vjen në vendin e Ylli Metkos, i cili transferohet në postin e Drejtorisë së Shkollës së Policisë në Tiranë. Ky post ishte mbajtur deri tani nga Nazmi Kotarja. Në postin e zv/drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Vlorës emërohet Elidon Veizi, i cili deri dje ishte zv/drejtor në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Veizi zëvendëson në Vlorë, Myftar Demirlikën. Në postin e Shefit të komisariatit në Vlorë emërohet Alfred Elezi, i cili vjen në këtë post pas së njëjtës detyrë që ka ushtruar në komisariatin e Mirditës. Elezi zëvendëson në Vlorë Nikolin Thanën. Edhe disa inspektorë të Vlorës janë zëvendësuar me efektivë të tjerë policie. Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, pohoi dje se ndryshimet më të fundit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës janë marrë për forcimin e rendit, por nuk ka përjashtuar edhe faktin se ato kanë ndodhur edhe për shkak të atentatit të gjyqtarit vlonjat Skerdilajd Konomi. “Ndryshimet e drejtorëve janë ndryshime që ndodhin shpesh në polici, edhe për shkak të kësaj ngjarjeje. Sigurisht që ka ndikuar”,- sqaroi Burgaj. Këto deklarata Burgaj i bëri pas takimit të zhvilluar me homologun e tij austriak, takim i cili pati në thelb bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave midis dy vendeve, për luftën kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›