E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koka e 42-vjeçares, policia kontrollon banesën e autorit

Ditën e sotme pritet që autori i ngjarjes të dalë para togave të zeza, ndërsa familjarët e viktimës do të tërheqin trupin e vajzës së tyre

KORÇË Policia e Korçës edhe gjatë ditës së djeshme ka vazhduar kontrollet për gjetjen e kokës së 42-vjeçares Liljana Arapi, trupi i së cilës u gjet i masakruar në mbeturinat e qytetit. Agjentët e policisë janë rikthyer edhe një herë në ambientet e shtëpisë ku viktima kishte jetuar së bashku me 84-vjeçarin Gaqo Dumka, i arrestuar tashmë, për të parë nëse koka e saj mund të jetë fshehur në ambientet apo në oborrin e shtëpisë. Ndërsa ditën e sotme pritet që familjarët e saj të marrin trupin e saj, për ta përcjellë atë në banesën e fundit.

Dëshmia

Mostra 84-vjeçar i Korçës rrëfen marrëdhënien me 42-vjeçaren, ndërsa pohon se ajo kryente seks me të tjerë në praninë e tij. Krimi barbar ndaj një gruaje të vetme dhe të pambrojtur disa ditë më parë, është një nga ngjarjet më të forta që ka përjetuar rajoni juglindor i vendit. Teksa hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e krimit vazhdojnë, i dyshuari Gaqo Dumka është rimarë disa herë në pyetje për të dhënë dëshminë e tij mbi këtë makabritet. Ndërkaq, gjatë të mërkurës ai do të dalë për herë të parë para togave të zeza për masën e tij të sigurisë, ku priten të dëgjohen dhe dëshmitë e tij të para.

Burime të mirëinformuara të policisë kanë bërë të ditur për gazetën se 84-vjeçari ka treguar se kishte dijeni për marrëdhëniet e fatkeqes me persona të tjera. “Unë e dija që ajo më tradhtonte. Madje në disa raste ka bërë seks në praninë time, në shtëpinë time me qira me meshkuj të ndryshëm.” ka pohuar para autoriteteve i dyshuari i këtij krimi. Por duket se nga dëshmitë e mbledhura në lagjen 4, aty ku jetonte i moshuari, mësohet se ai nga mosha ishte kthyer në një maniak seksual. Gjatë gjithë kohës ai ishte në përgjim të femrave, duke gjetur rastin për të hyrë në bisedë me to, madje në lagje njihej si një njeri i bezdisshëm në këtë drejtim. Por qenia e tij me të ardhura të konsiderueshme e shtynte atë të joshte gra të varfra që në këmbim të të hollave shërbenin seks. Të ardhurat e tij mujore kanë qenë të konsiderueshme, ndërsa përfitonte dhe një pension grek si shtetas homogjen, pasi dispononte dhe dokumente greke.

Kërcënimi

Por Gaqo Dumka, burri me trup të imët, ishte mjaft i dhënë pas femrave, ndërsa qëndronte në dyqane ku kishte klientelë femrash, për t’i parë sa më shumë ato nga afër. Por ajo që bëjnë të ditura të njëjtat burime mësohet se plaku posedonte një thikë të madhe që nuk e hiqte kurrë nga brezi, teksa në mënyrë gati barbare ai priste thonjte e tij me të, ndonëse ajo ishte tejet e rrezikshme. Gjithsesi këto janë disa nga të dhënat për veprimtarinë e burrit që akuzohet të ketë kryer një nga krimet më të rënda, ndërkohë që policia është duke zbardhur të plotë se çfarë ka ndodhur më 11 gusht në shtëpinë e këtij të fundit. Nga të njëjtat burime mësohet gjithashtu se gjatë pasdites të krimit në lagjen 4 të qytetit, jo shumë larg spitalit rajonal të Korçës, ka patur krisma armësh. Një pistoletë është shkrehur në ajër dhe mendohet të ketë qenë jo shumë larg shtëpisë ku ka ndodhur krimi. Por nga ana tjetër i moshuari vazhdon të pohojë se nuk e ka vrarë ai Liljana Arapin, por e ka gjetur të vrarë, ndërsa pranon të ketë hedhur trupin e saj në kazanin e hedhjes së mbeturinave jo shumë larg shtëpisë. Të mërkurën në mesditë Gaqo Dumka do të shkojë në gjykatë për masën e sigurisë, ndërsa ngjarja për vetë ndjeshmërinë e saj të lartë në publik, do të jetë në fokusin e mediave.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›